Në Gjeorgjia arrestohet lideri i dytë i opozitës brenda një muaji

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Policia gjeorgjiane arrestoi liderin e opozitës Nika Melia nga Koalicioni për Ndryshim, njoftoi të enjten partia e tij.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë, Melia është ndaluar me akuzën e fyerjes verbale ndaj një oficeri të zbatimit të ligjit dhe pritet të dalë para gjykatës.

Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka forcuar kontrollin e saj mbi pushtetin vitet e fundit, ndërsa protestuesit dhe kritikët e akuzojnë qeverinë se po e largon vendin nga rruga pro-perëndimore dhe po e kthen drejt orbitës së Moskës.

“Arrestimi i Melias është manifestim i frikës së regjimit rus,” thanë grupet opozitare të premten në një deklaratë të përbashkët, duke iu referuar partisë Ëndrra Gjeorgjiane.

Grupet opozitare nuk e njohin legjitimitetin e qeverisë së Ëndrrës Gjeorgjiane, pasi janë të bindur se zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 janë manipuluar.

Arrestimi i Melias ndodhi një ditë përpara se ai të merrte pjesë në një seancë gjyqësore lidhur me akuza të tjera. Ato kishin të bënin me refuzimin e tij për të dëshmuar para një komisioni parlamentar, të udhëhequr nga partia Ëndrra Gjeorgjiane, për hetimin e krimeve të pretenduara gjatë qeverisë së mëparshme. Në atë çështje, Gjykata e Qytetit të Tbilisit kishte urdhëruar Melian të paguante një garanci deri më 30 maj.

Sipas avokatit të tij, Georgy Kondakhashvili, akuzat janë të fabrikuara për ta detyruar liderin e opozitës të paraqitet në një seancë që ai e kishte bojkotuar.

“Nuk e di me çfarë lidhej ndalimi i tij. Në fakt, ai u rrëmbye. Vepruan në mënyrë agresive dhe pa asnjë shpjegim,” tha Kondakhashvili në një intervistë për median lokale të enjten.

Ky është arrestimi i dytë i një figure të rëndësishme të opozitës brenda pak më shumë se një jave.

Më 22 maj, një gjykatë gjeorgjiane vendosi ndalimin paraburgim të Zurab Japaridze — një tjetër anëtar i rëndësishëm i Koalicionit për Ndryshim — për një periudhë të pacaktuar. Japaridze kishte refuzuar të paraqitej para të njëjtit komision parlamentar që hetonte abuzimet e pretenduara gjatë qeverisë së Mikheil Saakashvilit, një administratë pro-perëndimore që ishte në pushtet nga viti 2004 deri në vitin 2013.

The post Në Gjeorgjia arrestohet lideri i dytë i opozitës brenda një muaji appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: