Prokuroria Speciale: Gjenden në Zbubin Potok mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 individëve janë gjetur gjatë gërmimeve dhe ekshumimeve në një lokacion në Zubin Potok.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sipas institucioneve, gjetja e re është konfirmuar të mërkurën nga ekipet mjeko-ligjore. Identifikimi i plotë i mbetjeve do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

Në lidhje me rastin, autoritetet kosovare po hetojnë tre persona, me inicialet J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Të tre të dyshuarit ndodhen në paraburgim.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale.

Autoritetet kanë deklaruar se procesi do të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të dokumentuar, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.

Çdo zhvillim i ri, sipas institucioneve, do të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesat e hetimit.

The post Prokuroria Speciale: Gjenden në Zbubin Potok mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: