Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Kjo e martë ka qenë një ditë e veçantë në trajektoren e tersit që po e ndjek nga pas Erion Veliajn. Kryebashkiaku në detyrë i Tiranës dështoi të lirohej nga burgu gjatë një procesi rutinë në GJKKO, e cila njëherë në dy muaj kontrollon veprimet e prokurorëve të SPAK dhe verifikon masën e arrestit të të pandehurit.
Por, nëse për të gjithë atë që njohin çështjen, vendimi i sotëm qe i pritshëm, lajmi i keq erdhi në të njëjtën ditë nga Gjykata e Lartë. Veliaj ka kërkuar prej kohësh aty zbutjen e masës së arresit. Madje në bisedat që u publikuan nga përgjimet që i kishte bërë SPAK në qeli, ai dëgjohej të thoshte se shpresat për lirim duheshin pritur nga kjo gjykatë.
Andi Bushati: Çfarë tregon për 11 majin, vrasja e superman-it Veliaj
Ndërsa sot është bërë publike se seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i cili kërkon lirinë do të zhvillohet më 8 Korrik, në orën 12:00. Por aty ka një kleçkë, ose disa të tilla.
Së pari, ky institucion i ka lënë në fuqi gjithë masat e arresteve të marrë nga shkallët më të ulta për politikanët e lartë të rangut të Veliajt. Së dyti, në trupin gjykues të përbërë nga Medi Bici dhe Sokol Binaj, relatore e çështjes është caktuar shkodranja 50 vjeçare, Albana Boksi. Në një thellim që Lapsi.al ka bërë në vendimet që ajo ka dhënë me parë, nuk shihet asnjë dritë shprese për Erion Veliajn.
Kështu znj. Boksi, që ka shërbyer më parë në GJKKO, ka qenë prezente edhe në shqyrtimin e masës së arrestit për Ilir Metën, në shkurt 2024, i cili kërkonte lirimin nga burgu me pretendimin se është kryetar partie dhe se një gjë e tillë e pengon në kryerjen e funksionit të tij publik.
Por, Albana Boksi që do të jetë në gjyqin e 8 korrikut relatore dhe Medi Bici që do të jetë anëtar, në procesin e Metës mbajtën qëndrimin se “interesi publik dhe ruajtja e procedurës ligjore qëndron më sipër sesa ndikimi politik”. Pra, për të dy këta gjyqtarë do jetë e vështirë të thonë se fakti që Veliaj është kryebashkiak mund të përbëjë një faktor lehtësues.
Po kjo dyshe gjyarësh kanë hedhur poshtë edhe kërkesën për të zbutur burgimin me arrest në shtëpi për ish ministrin Lefter Koka. Më mars- prill 2022 ata nuk i vlerësuan as pretendimet personale dhe as ato politike të ish minisrit të akuzuar në aferën e inceneratorëve, madje shtuan se lirimi i tij mund të shkaktonte përsëritjen e veprave që kishte kryer.
Pra, dy nga tre gjyqtarët që do të japin verdiktin në procesin që nis në 8 korrik kanë tashmë një parktikë të konsoliduar për t’iu bindur kërkesave të SPAK për masën e arrestit.
Media franceze: Ngritja dhe rënia e Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës
Gjendja për Veliajn duket se po bëhet edhe më e rënëdë për shkak se ashpërsia e organeve të drejtësisë ndaj tij po ecën paralelisht me lëshimin që i kanë bërë Edi Rama dhe Partia Socialiste.
Një bilanc i shkurtër flet për një njeri të tradhëtuar. Ministria e drejtësisë, derejtuesin e të cilit Ulsi Manjën ai e shante me fjalët më bastarde, e la të përgjohej në burg pa e lajmëruar. Asnjë nga mbështetësit e Lalit nuk do jetë pjesë e grupit të PS-së në parlamentin e ri si deputet. Ai nuk ka më asnjë kontroll mbi drejtimin e bashkisë pasi Rama e shkarkoi të besuarën e tij dhe ia ka kaluar të gjitha kompetencat Anuela Ristanit.
Sinjalet e goditjes së Erion Veliajt pas 11 Majit
Militantët që i kanë mbetur, nuk shkojnë të protestojnë përpara SPAK-ut. Edi Rama e la pas krahëve teatrin e ditëve të para, që gjoja fajësonte prokurorët se po ndërprisnin punët për zhvillimin e Tiranës. Ai përdori si kazus një postim të Etjen Xhafës, për t’i ndaluar ushtarëve të vet socialistë, çdo lloj mbrojtje publike për kryebashkiakun e burgosur. As Fatmir Xhafaj, që publikoi në ditët e para një shkrim të gjatë kundër mënyrës së arrestimit, tani nuk pipëtin dot më.
Pra duket se dhe shpresat që Veliaj kishte para 11 majit, se Gjykata e Lartë do të qe për të një dritë në fund të tunelit, me shumë gjasë mund të zhgënjehen.
Dokumenti/ Si u përdor Nesti Angoni për të lënë në burg Erion Veliajn
Erion Veliaj është nën hetim për korrupsion e pastrim parash dhe ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit të këtij viti.
Në dosjen e SPAK ai akuzohet për ngritjen e një skeme të mirëmenduar dhe komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar ryshfete, udhëtime ose pasuri të paluajtshme nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës, si dhe kompani që merrnin leje ndërtimi.
©Lapsi.al
The post Burgosja/ Dy lajme të këqia nga gjykatat për Erion Veliajn appeared first on Lapsi.al.
