Mori 2000 euro për legalizimin e një shtëpie, dënohet punonjësi i Kadastrës

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim ditën e mërkurë pranë Gjykatës së Posaçme çështjen penale ndaj Endri Ngresit, ish-punonjës i Kadastrës Fier, dhe dy pandehurve të tjerë, Ardjan Kumanakut dhe Afërdita Vidhit.

SPAK kishte njoftuar më 30 janar të këtij viti se Endri Ngresi, në atë kohë punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Fier, kishte marrë një shumë monetare prej 2000 eurosh nga Ardjan Kumanaku dhe Afërdita Vidhi. Qëllimi i këtij rryshfeti ishte pajisja me dokumente legalizimi e shtëpisë së Vidhit në Fier.

Referuar njoftimit të SPAK, Gjykata e Posaçme ka marrë tashmë vendimet për këtë çështje:

Endri Ngresi është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe është dënuar me tre vite burgim. Ish-punonjësit të Kadastrës iu vendos masa e sigurimit “arrest në shtëpi”. Gjithashtu, Ngresit iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej pesë vitesh.

I pandehuri Ardjan Kumanaku u dënua me një vit burgim, për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Për të njëjtën vepër penale u deklarua fajtore edhe Afërdita Vidhi, por gjykata e përjashtoi nga dënimi, sipas parashikimit të nenit 52/a të Kodit Penal. Ky nen parashikon mundësinë e përjashtimit nga vuajtja e dënimit ose uljen e tij, nëse një individ, i cili ka premtuar apo ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, bën një kallëzim dhe ndihmon në procedimin penal të këtyre veprave penale.

The post Mori 2000 euro për legalizimin e një shtëpie, dënohet punonjësi i Kadastrës appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: