Mbyllet afati i katërt për përmbushjen e reformave nga Plani i Rritjes, KE do të dalë me një vlerësim

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Dita e fundit e muajit qershor ishte afati përfundimtar në kuadër të periudhës së katërt raportuese për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i përmbushur reformat e parashikuara nga Plani i Rritjes për këto vende.

Tani, këto vende kanë afat deri më 15 korrik për t’i dorëzuar raportet mbi hapat e zbatuar të reformave.

Komisioni Evropian më pas do të vlerësojë përmbushjen e tyre dhe do të vendosë për pagesat përkatëse për secilin vend.

Megjithatë, zyrtarët e KE-së theksojnë se të hollat ndahen vetëm pasi të jetë vlerësuar se reformat nga agjendat e reformave të vendeve përkatëse janë zbatuar në të vërtetë.

“Instrumenti për reforma dhe rritje bazohet në performancë dhe fondet paguhen vetëm kur reformat zbatohen plotësisht”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

“Tashmë po shohim përparim të rëndësishëm: 78 për qind e reformave në tri rundet e para të raportimit tregojnë ose sukses të plotë, ose të paktën njëfarë përparimi, ndërsa vetëm 22 për qind janë të bllokuara”, shtoi zëdhënësi.

Mjetet financiare nga Plani i Rritjes janë të kufizuara në kohë. Nëse vendet përfituese nuk i përmbushin kushtet, përkatësisht nuk zbatojnë reformat e parashikuara në agjendat e reformave, Komisioni Evropian ka të drejtë t’i mbajë fondet e destinuara për këta hapa reformues.

Këto fonde, sipas rregullave të Planit të Rritjes, mund të rishpërndahen te vendet që arrijnë rezultate më të mira në zbatimin e reformave.

Sipas Mercier, vendet përfituese kanë një vit kohë për t’i përmbushur kushtet përpara se fondet të rishpërndahen.

Kosova pritet t’i humbë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes për shkak të moszbatimit të reformave me kohë, tha të mërkurën kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj.

The post Mbyllet afati i katërt për përmbushjen e reformave nga Plani i Rritjes, KE do të dalë me një vlerësim appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: