Një 32-vjeçare është arrestuar në Greqi nën dyshimin për vjedhje të përsëritura dhe mosbindje ndaj policisë.
Hetimet tregojnë se gruaja dyshohet se ka shfrytëzuar punën e saj si ndihmëse shtëpiake dhe aksesin që kishte në banesat ku punonte në zonat e Ekali dhe Agia Paraskevi, për të vjedhur bizhuteri me vlerë të lartë. Sipas autoriteteve, aktiviteti i saj dyshohet se kishte nisur të paktën në janar 2025.
Për t’ua vështirësuar autoriteteve identifikimin dhe gjetjen e saj, 32-vjeçarja dyshohet se është prezantuar me të dhëna të rreme identiteti. Gjatë kontrollit policor, ajo gjithashtu refuzoi të bashkëpunonte me efektivët.
Gjatë kontrolleve në pronë dhe në banesën e saj, policia sekuestroi një telefon celular, ndërsa e arrestuara është dërguar në prokurorinë kompetente për procedurat e mëtejshme ligjore.
The post Vidhte në banesat ku punonte si ndihmëse shtëpiake, arrestohet 32-vjeçarja në Greqi appeared first on Euronews Albania.
