Ndryshimet klimatike, Von der Leyen: BE duhet të përgatitet për më shumë emergjenca

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian duhet të përshtatë sistemet e tij të mbrojtjes civile për t’u përballur me një numër në rritje të emergjencave të rënda dhe të njëkohshme.

Gjatë një deklarate të hënën nga Qendra Evropiane e Reagimit ndaj Emergjencave, von der Leyen tha se Evropa duhet të jetë e përgatitur për një realitet ku ngjarjet ekstreme ndodhin më shpesh, prekin më shumë vende dhe shfaqen në të njëjtën kohë.

Sipas saj, ndryshimet klimatike po e bëjnë motin ekstrem më të paparashikueshëm, ndërsa fatkeqësitë e njëkohshme mund të mbingarkojnë kapacitetet e vendeve individuale dhe të kërkojnë një reagim më të koordinuar evropian.

Presidentja e Komisionit theksoi shkallën e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare gjatë sezonit të sivjetshëm të zjarreve. Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së është aktivizuar 10 herë për zjarret pyjore që nga prilli.

Gati 800 zjarrfikës u vendosën paraprakisht në zona me rrezik të lartë, ndërsa ekipe nga 25 vende u angazhuan gjatë verës për të ndihmuar në përballimin e zjarreve.

Situata u përkeqësua pas katër valëve të të nxehtit që goditën Evropën që nga maji, duke rritur rrezikun për zjarre dhe duke ushtruar presion të madh mbi shërbimet kombëtare të emergjencave.

The post Ndryshimet klimatike, Von der Leyen: BE duhet të përgatitet për më shumë emergjenca appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: