Ekskluzive/ Burgjet e Shqipërisë si ‘shtëpi publike’, ja sa kushton drejtësia në burg nga takimet speciale te transferimet e të burgosurve

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Në burgjet shqiptare po zhvillohet një treg i zi i heshtur, ku ligji përkufizon të drejtat e të burgosurve, por korrupsioni ua shndërron ato në mall me çmim. Në këtë sistem të kalbur, një takim familjar, një “speciale” intime apo një transferim nga një institucion i rreptë në një më të lehtë nuk është më e drejtë ligjore, por privilegj i blerë.

Dhe gjithë kjo skemë, sipas burimeve të sigurta brenda sistemit, nuk mund të ndodhë pa dijeninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qo­se. Sepse, siç thotë populli: “Ku ka zë, nuk është pa gjë.”

Takimet – nga e drejtë ligjore, në biznes të paligjshëm

Ligji nr. 81/2020 i garanton çdo të burgosuri:

4 takime në muaj, minimalisht 1 orë secili, me familjarët e afërt.

Një takim të zgjatur deri në 5 orë (i ashtuquajturi “special”), vetëm për të martuarit dhe me fëmijë.

Takime shtesë të mundshme, vetëm me arsyetim të fortë dhe miratim nga drejtori i institucionit.

Por në praktikë, ky ligj është kthyer në pretekst për biznes. Burime konfidenciale pranë disa burgjeve flasin për një listë çmimesh të zezë:

150–250 euro për një takim shtesë, përtej normës ligjore.

2 000 euro për një takim “special” jashtë kritereve ligjore.

Rasti i bujshëm i Laert Haxhiut, që u takua në qeli me modelen Ziza Pajaziti, nxori zbuluar publikisht se protokollet po shkeleshin hapur. Zyrtarë të burgjeve pranuan në media se vetëm në një muaj u zhvilluan mbi 100 takime intime në disa institucione, duke ngritur dyshime se ligji përdoret si mbulesë për abuzim.

Transferimet – kur lëvizja e të burgosurit kushton 10 mijë euro

Ligji e parashikon transferimin si një mjet të jashtëzakonshëm, vetëm për arsye sigurie, shëndetësore, gjykimi, mbipopullimi apo lidhjeje me familjen. Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve theksohet se transferimi duhet të bëhet për të afruar të dënuarin me familjen, jo për t’i krijuar privilegje.

Por burimet thonë se një transferim “i favorshëm” – nga një burg i sigurisë së lartë në një më të lehtë, ose më afër familjes – kushton 10 mijë euro. Ky është çmimi i heshtur që kërkohet nga “krerët” e sistemit, dhe që, sipas të njëjtave burime, nuk mund të justifikohet pa dijeninë e drejtuesit të përgjithshëm. Sepse çdo transferim kalon nga komisionet dhe procesverbalet që raportohen në zyrën qendrore.

Pista e korrupsionit, kush e mban peng sistemin?

Futja e telefonave në burgje, sipas gazetarëve investigativë, arrin deri në 5 mijë euro për aparat celular. Një zyrtar i lartë, që foli nën anonim, pranoi:

“Asgjë nuk ndodh rastësisht në burgje. Nga telefoni e deri te transferimi, çdo gjë ka një firmë. Dhe ajo firmë nuk është e një rojtari të thjeshtë.”

Kjo flet për një sistem vertikal korrupsioni, ku hierarkia mban peng çdo vendim. Nëse një roje merr një pagesë, dikush më lart mbyll sytë. Nëse drejtori i një burgu lejon një “speciale” me pagesë, dikush më lart duhet të japë bekimin. Dhe në majë të kësaj piramide është Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qo­se.

Prandaj pyetja është e thjeshtë: Si mund të shitet drejtësia me çmim brenda sistemit pa dijeninë e kreut?

Heshtja institucionale, alarm për SPAK

SPAK dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë kompetencë të drejtpërdrejtë për hetimin e korrupsionit në administratën penitenciare. Por deri tani nuk ka një hetim të plotë mbi këto skema. Heshtja vetëm sa ushqen bindjen se korrupsioni është i strukturuar nga maja.

Nëse drejtori i përgjithshëm nuk e dinte, kjo do të ishte dështim katastrofik menaxherial. Nëse e dinte dhe heshti, atëherë është pjesë e skemës. Të dyja rastet e diskreditojnë sistemin dhe shtetin ligjor.

Një “shtet brenda shtetit”

Burgjet shqiptare po shndërrohen në një “shtet brenda shtetit”, ku e drejta ligjore kthehet në privilegj të paguar dhe ku paratë blejnë gjithçka – nga një orë me familjen, tek një qeli më e qetë. Në këtë realitet, drejtësia nuk është më e barabartë: të pasurit e blejnë, të varfrit e humbasin.

Dhe për aq kohë sa drejtuesit më të lartë heshtin, një gjë është e qartë: drejtësia në Shqipëri vazhdon të jetë me çmim, edhe pas hekurave.

The post Ekskluzive/ Burgjet e Shqipërisë si ‘shtëpi publike’, ja sa kushton drejtësia në burg nga takimet speciale te transferimet e të burgosurve appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: