Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Anne Hathaway dhe Meryl Streep rikthehen me bizhuteri luksoze dhe veshje që premtojnë të ndezin trendet e reja

Filmi i shumëpritur “The Devil Wears Prada 2” po i kthen sërish çantat dhe bizhuteritë e stilistëve më të mëdhenj në qendër të vëmendjes. Që prej muajit korrik, Anne Hathaway, Meryl Streep, Emily Blunt dhe Stanley Tucci janë parë duke xhiruar në New York, të veshur me krijime të markave të njohura luksoze. Kostumografja Molly Rogers ka zgjedhur një gamë të gjerë çantash, nga tote, clutch, deri te modelet hobo, që pritet të frymëzojnë trendet e sezonit sapo filmi të dalë në kinema në vitin 2026.
Për personazhin e Anne Hathaway, Andy Sachs, garderoba është kombinuar me veshje të Gabriela Hearst, Sacai dhe krijime arkivore të Jean Paul Gaultier. Por vëmendjen më të madhe e marrin bizhuteritë, mes tyre një varëse unike nga marka Jemma Wynne: një varëse me diamant të prerë në formë smeraldi, të vendosur në ar 18 karatësh, me vlerë 14,910 dollarë. Delikate dhe e sofistikuar, kjo bizhuteri është bërë pjesë kyçe e stilit të saj.
Andy Sachs i viteve 2020 shfaqet me një estetikë të ndikuar nga Y2K, por të ngritur në një nivel më elegant, ku mbizotëron kombinimi i varëseve dhe bizhuterive metalike. Përveç varëses së Jemmy Wynne, Hathaway shfaqet edhe me një choker të Marlo Laz, të punuar me rruaza të personalizuara dhe elemente të frymëzuara nga Amerika Jugperëndimore. Ky aksesor i çmuar prej ari 14 karatësh ka një vlerë prej 26,800 dollarësh dhe është përdorur në disa skena gjatë muajit korrik.
Nga ana tjetër, rikthimi i Meryl Streep si Miranda Priestly sjell sërish në ekran elegancën klasike të personazhit, por këtë herë me një prekje bashkëkohore. E veshur me krijime të Jacquemus dhe Sa Su Phi, Streep plotëson look-un e saj me bizhuteri të rafinuara nga Briony Raymond. Më të spikaturat janë vathët Sloan dome prej ari të verdhë 18 karatësh, me vlerë 7,800 dollarë, të cilët janë kthyer në një element thelbësor të garderobës së saj.
Në disa skena, Miranda Priestly shfaqet gjithashtu me unazën Sloan të zbukuruar me diamante (12,650 dollarë) dhe një varëse madhështore prej ari të bardhë (12,740 dollarë), gjithashtu nga Briony Raymond.
“The Devil Wears Prada 2” do të sjellë përballjen mes Miranda Priestly (Meryl Streep) dhe ish-asistentes së saj Emily Charlton (Emily Blunt), tashmë rivale në botën e medias dhe reklamës. Filmi do të shfaqet premierë në maj 2026 dhe pritet të rikthejë fuqinë e modës në ekran, duke e shndërruar sërish në një fenomen kulturor.
