Mes Kosovës, Zvicrës dhe Shqipërisë zgjodhi “Dardanët”, tifozët i urojnë mirëseardhjen Avdullahut

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Leon Avdullahu do të jetë futbollisti më i ri që i bashkohet Kosovës. Mesfushori difensiv pavarësisht interesimeve edhe nga Shqipëria dhe Zvicra vendosi të zgjedhë për të përfaqësuar ndërkombëtarisht Kosovën.

Gjatë kohës së tij te Baseli, Avdullahu ka arritur të shpallet kampion i Zvicrës dhe të fitojë Kupën e vendit, duke konfirmuar cilësitë e tij si një lojtar i talentuar dhe me potencial të lartë.

21-vjeçari luan në pozitën e mesfushorit defensiv dhe këtë verë ka bërë një hap të madh në karrierë duke u transferuar te skuadra gjermane Hoffenheim për një shifër prej 8 milionë eurosh.

Ai është titullar i rregullt në Bundesligë, duke treguar pjekuri dhe qëndrueshmëri në fushë, ndërsa vlera e tij aktuale në Transfermarkt është 10 milionë euro.

Avdullahu ka përfaqësuar Zvicrën në të gjitha grupmoshat nga U15 deri te U21, duke grumbulluar përvojë të vlefshme ndërkombëtare.

Ai kishte ftesë edhe nga Kombëtarja A e Zvicrës, por ka vendosur të marrë një drejtim tjetër në karrierën e tij, duke zgjedhur të luajë për Kombëtaren e Kosovës.

Debutimi i tij pritet të jetë pikërisht ndaj Zvicrës më 5 shtator, një moment simbolik dhe emocionues për të dhe për tifozët e Kosovës.

Ky është një vendim i madh për të ardhmen e Avdullahut dhe për Kombëtaren e Kosovës, duke i shtuar mesfushës një lojtar të ri, të talentuar dhe me vizion.

Një vendim që padiksutim ka gëzur të gjithë tifozët “Dardanë”. Pikërisht këto të fundit kanë reaguar në rrjetet sociale pas këtij vendimi. “Dardanët” janë mjaft të lumtur që Leoni zgjodhi vendin e tij, vendin ku është derdhur gjak dhe ku do të jetë i mbrojtur gjithmonë.

“Zgjodhe vendin tënd, atdheun tënd, gjakun tënd, folenë e zemrës tënde, kombëtaren tënde të vërtetë dhe zgjodhe t’i përfaqësosh njerëzit e shtetit tënd, ata që nuk do të braktisin kurrë e që do të mbrojnë e përkrahin kaherë. Zgjodhe tokën dardane të larë e mbrojtur me gjak. Na gëzove këtë mbrëmje një popull të tërë. Kosova të pret krahëhapur dhe me dashuri në “Fadil Vokrri”, Leon!”, shkruhet në postim.

The post Mes Kosovës, Zvicrës dhe Shqipërisë zgjodhi “Dardanët”, tifozët i urojnë mirëseardhjen Avdullahut appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: