Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Një spital privat në zonën e Zogut të Zi në Tiranë është bllokuar nga policia pas një operacioni të koduar “Bilanci”. Ky operacion zbuloi një skemë evazioni fiskal, punësimin e punëtorëve të pasiguruar dhe përdorimin e medikamenteve të ndaluara.
Gjatë operacionit, u arrestua administratori i spitalit, Edmond Zaja, 62 vjeç. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy bashkëaksionerët: shtetasi turk Bilal Kara, 45 vjeç dhe Geriana Arapi, 32 vjeçe.
Nga hetimet disamujore të Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, u zbulua se subjekti kishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 milion euro gjatë periudhës 2024-2025, njoftoi policia.
Përveç kësaj, policia sekuestroi:
- 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara.
- 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara ose të ndaluara.
- 6 njësi kompjuterike.
Gjithashtu, u konfirmua se spitali kishte punësuar pesë persona pa kontrata pune dhe pa sigurime shoqërore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa puna vazhdon për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.
The post Bllokohet spitali privat te Zogu i Zi, administratori në pranga për evazion fiskal dhe punëtorë të pasiguruar appeared first on GIJOTINA.
