Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Sébastien Lecornu ka kohë që pret në prapaskenë. Tani, duket se momenti i tij më në fund mund të ketë ardhur.
Me Kryeministrin francez François Bayrou që pritet gjerësisht të rrëzohet nga deputetët të hënën, ministri i Forcave të Armatosura, një favorit i mëparshëm për këtë post, është rikthyer në qendër të vëmendjes si një nga kandidatët kryesorë.
Ky politikan 39-vjeçar është i vetmi ministër që ka mbetur në qeveri që kur Emmanuel Macron u zgjodh për herë të parë president në vitin 2017, duke i mbijetuar të gjitha riformatimeve dhe një palë zgjedhjesh të parakohshme.
“Ai ja ka dalë mjaft mirë në botën e Macron,” tha një zyrtar i parlamentit, i cili si të tjerë në këtë artikull foli në kushte anonimiteti. “Ka pak tipar mbijetuesi.”
Gjatë shtatë viteve të fundit, Lecornu ka ndërtuar profilin e tij si një aleat i palëkundur i Macron, duke përpunuar një stil politik që përputhet me atë të presidentit, veçanërisht angazhimin e tij në politikën lokale. Krahas rolit të tij në qeveri, ai shërben edhe si këshilltar në qarkun e tij në Normandi, ku kalon shumicën e fundjavave.
Ministri mban një profil publik të ulët, zbulon pak nga jeta e tij personale dhe paraqitet me një imazh serioz. Ai ka mohuar gjithashtu se synon postin e kryeministrit, edhe sepse ndër pretendentët janë miqtë dhe aleatët e tij të ngushtë: ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin, ministrja e Punës dhe Shëndetësisë Catherine Vautrin dhe ministri i Ekonomisë Éric Lombard.
Në takime private, megjithatë, Lecornu është shumë më energjik, dhe qarqet e pushtetit në Francë e shohin si një operator politik të shkathët. “Në një debat, mund t’ia bësh të njëjtën pyetje tri herë, ai di si të mos përgjigjet (kur nuk do), ndërkohë që të jep përshtypjen se është një dëgjues i mirë,” tha një senator i opozitës, duke e përshkruar si “jashtëzakonisht të aftë”.
Në moshën 19-vjeçare, Lecornu nisi karrierën e tij si asistenti më i ri parlamentar në Francë. Fillimisht anëtar i partisë konservatore Les Républicains, ai ka punuar për të fituar respekt në të gjithë spektrin politik, nga sigurimi i besimit të Emmanuel dhe Brigitte Macron, deri te organizimi i darkave të diskutueshme me lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
Ruajtja e këtij profili është bërë më i lehtë nga konsensusi i gjerë në Francë për nevojën që ushtria e vendit të forcohet dhe të pajiset më mirë për luftëra të intensitetit të lartë.
Që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, Lecornu, vetë rezervist në Xhandarmërinë Kombëtare, është bërë fytyra publike e riarmatimit francez. Në vitin 2023 ai udhëhoqi miratimin në parlament të një ligji të ri për planifikimin ushtarak që parashikon 413 miliardë euro shpenzime për mbrojtjen gjatë viteve 2024–2030.
Një detaj personal: qeni i tij, Tiga, endet lirshëm në korridoret e ministrisë së Forcave të Armatosura.
Lecornu ka lidhje të ngushta me homologun e tij gjerman Boris Pistorius, një tjetër ministër mbrojtjeje që i mbijetoi një zgjedhjeje të parakohshme. Megjithatë, ndërsa ai shkëlqen në ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale, është më pak i pranishëm në forume multilaterale si takimet e BE-së për punët e jashtme dhe mbrojtjen në Bruksel, të cilave shpesh i shmanget. Vitin e kaluar, ish-Kryeministri Michel Barnier raportohet se i tha të ishte më prezent në kryeqytetin de fakto të BE-së.
“Ai nuk është shumë europian në mënyrën e të menduarit,” tha një zyrtar i industrisë.
Një mbështetës i fortë i sovranitetit francez, Lecornu shpesh ka shprehur mosbesim ndaj institucioneve të BE-së, sidomos ndaj Komisionit Europian. Ai shpesh përmend Charles de Gaulle në fjalimet e tij, dhe ish-ministrin e Forcave të Armatosura të De Gaulle, Pierre Messmer.
Pavarësisht nëse Lecornu zëvendëson apo jo Bayrou, një pjesë e trashëgimisë së tij tashmë është shkruar, tha një zyrtar parlamentar:
“Imazhi që ai dëshiron të lërë pas — dhe që do të lërë — është se ai është fytyra e riarmatimit të Francës.”
Politico, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL
The post Sebastien Lecornu, njeriu në hije që mund të bëhet kryeministri i ri i Francës appeared first on Lapsi.al.
