Gjigandët amerikanë të teknologjisë do të investojnë në Britani. Trump dhe Stramer nënshkruajnë marrëveshjen

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Gjatë vizitës së tij në Britani, presidenti amerikan Donald Trump  dhe kryeministri britanik Starmer kanë nënshkruar një marrëveshje të re partneriteti teknologjik midis Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së.

Një numër kompanish të mëdha amerikane të teknologjisë kanë njoftuar se do të bëjnë investime në Mbretërinë e Bashkuar.

Microsoft është investitori më i madh i vetëm, duke njoftuar një paketë shpenzimesh prej 30 miliardë dollarësh (22 miliardë paund) – më e madhja ndonjëherë jashtë SHBA-së.

Google ka premtuar 5 miliardë paund për kërkimin dhe infrastrukturën e inteligjencës artificiale gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa kompania e çipave kompjuterikë Nvidia njoftoi 500 milionë paund për ndërtimin e më shumë qendrave të të dhënave për të ndihmuar në funksionimin e inteligjencës artificiale në Britani.

Liderët e teknologjisë, përfshirë Jensen Huang të Nvidia-s, shefin e OpenAI, Sam Altman dhe Satya Nadella të Microsoft-it, shoqëruan Trump-in në banketin shtetëror në Kështjellën Winds.

“Tech Prosperity Deal”, është një plan që synon të garantojë epërsi ekonomike dhe inovacion në dekadat e ardhshme. Po ashtu, është arritur një marrëveshje për energjinë bërthamore civile, që do të furnizojë me energji miliona biznese dhe do të ulë faturat e konsumatorëve.

Trump gjatë fjalës së tij theksoi “lidhjen e pathyeshme” midis SHBA  dhe Mbretërisë së Bashkuar

“Mendoj se është një lidhje e pathyeshme që kemi pavarësisht nga ajo që po bëjmë sot. Në maj, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë që bëri një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit tim të dytë, dhe ne në një farë mënyre donim ta bënim të parën, sepse lidhja është kaq e fortë dhe marrëdhënia kaq e gjatë”, tha ai.

Një nga objektivat kryesore të Starmer me Trump ishte arritja e një marrëveshjeje të re tregtare, diçka që ai arriti ta realizonte shpejt, edhe pse vendet e tjera u përpoqën me javë të tëra të negocionin plane për të shmangur tarifat gjithëpërfshirëse.

The post Gjigandët amerikanë të teknologjisë do të investojnë në Britani. Trump dhe Stramer nënshkruajnë marrëveshjen appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: