“Qesh Ulsiu se i duken qyfyre“, Gjekmarkaj: Parlamenti është kthyer në sallë lajmërimesh…

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Mbledhja e Konferencës së kryetarëve është shoqëruar që në çelje me debate, teksa pozita vijon të kërkojë mocion me debat në lidhje me prioritetet e qeverisë.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla u shpreh se sa i përket kërkesës për mocion, me 6 pika, “nuk respekton as në formë, as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka folur me tone të ashpra  gjatë Konferencës së Kryetarëve, ku theksoi se mazhoranca nga frika e fjalës së lirë e ka shndërruar Kuvendin në një sallë lajmërimesh, pasi flasin vetëm për procesverbale e njoftime dhe asnjë debat.

“Ju, mbase nuk e dini, por njerëzimi ka konsumuar mijëra vjet për të bërë kalimin nga tingulli te fjala, dhe fjala bëri ndryshimin e madh te njeriu i Neandertalit. Qesh Ulsi, se nuk e di, i duket habi… po nejse! Në Mesjetë, dënimi më i madh ishte kur gjuhën ia vendosnin në tryezë dhe e mbërthenin me gozhdë, sepse fjala prishte shumë punë!

Ka një muaj që mblidhemi këtu e vendosim sesi të mos bëjmë parlament, sesi të mos flasim!

E keni shndërruar Kuvendin në një sallë lajmrimesh, si kasnec! Flasim vetëm për procesverbale e njoftime, asnjë debat! Ju keni frikë nga fjala!

Tani ju keni shpallur këtë moton: “Shqipëria 2030 në Europë”! Bukur shumë! Përballë janë disa kalorës të rrugëtimit europian! Ju nuk po u jepni mundësi të rrëfejnë cilin zabel kaloi Taulanti, a patën tagji kuajt e Ulsiut, në cilin han fjeti Toni rrugës për në Europë!

Pra, kalorësit po udhëtojnë nëpër natë! Ju po u mohoni të drejtën e rrëfimit! Ju vetë, si kryetar, nuk po kaloni një ditë në atë karrige duke drejtuar debat politik! Por drama më e madhe e juaja do të jetë se do të harroni të flisni. Kur të ktheheni te njerëzit, do të jeni si njerëzit e lashtë, do të ktheheni te tingulli! Qesh Ulsiu, i duket qyfyre! Do të harroni, si mijëra vjet më parë, që tingullin ta përktheni në fjalë”, u shpreh Gjekmarkaj.

 

 

 

 

The post “Qesh Ulsiu se i duken qyfyre“, Gjekmarkaj: Parlamenti është kthyer në sallë lajmërimesh… appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: