Tiranë/Finalizohet operacioni “Skajet”, kapen dy të dënuar për armëmbajtje pa leje dhe dhunë

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Skajet”, duke arrestuar dy shtetas të shpallur në kërkim apo që kanë shkelur masat e sigurisë. Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacioneve të marra në rrugë operative.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi K. Gj., 43 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 5 vite burg për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Ky shtetas ishte arrestuar më parë, në vitin 2023, gjatë operacionit “Speciali”, pasi u kap i armatosur me një pistoletë me fishek në fole dhe me dokument të falsifikuar që e prezantonte si punonjës i forcave speciale të Policisë.

Nga vendimi i gjykatës, K. Gj. i mbeten për të vuajtur 1 vit, 8 muaj e 15 ditë burgim.

Gjithashtu, u arrestua shtetasi A. Q., 42 vjeç, pasi në rrugën “Jordan Misja” goditi me grusht drejtuesin e një taksie, të cilin më parë e kishte mashtruar për pagesën e udhëtimit. Verifikimet e mëvonshme treguan se 42-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

The post Tiranë/Finalizohet operacioni “Skajet”, kapen dy të dënuar për armëmbajtje pa leje dhe dhunë appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: