Strazimiri: Zgjedhjet nuk ishin të ndershme, OSBE e konfirmoi

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, akuzoi mazhorancën dhe institucionet zgjedhore për kapje politike dhe shkelje flagrante të standardeve demokratike në proceset zgjedhore në vend. Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, Strazimiri tha se raporti i fundit i OSBE/ODIHR është një dëshmi e qartë se në Shqipëri është fshirë kufiri mes partive dhe qeverisë në pushtet, ndërsa zgjedhësit janë përballur me presion, patronazhizëm dhe kompromentim të fshehtësisë së votës.

Strazimiri kritikoi edhe rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se ai vepron më shumë si një zgjatim i qeverisë sesa si institucion i pavarur, dhe shpeshherë zbaton ligjin në mënyrë të ngurtë e formale, pa garantuar thelbin e tij demokratik. Sipas deputetit demokrat, zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të konsiderohen as të lira, as të ndershme, pasi janë zhvilluar në një klimë presioni, manipulimesh dhe ndërhyrjesh të qeverisë.

Strazimiri: Për eksperiencën që keni në menaxhimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri, kjo nuk është hera e parë që drejtoni atë që dikur quhej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në një vend ku raporti i OSBE/ODIHR shprehet se nuk kuptohet vija e demarkacionit mes shtetit dhe partisë në pushtet, ku zgjedhësi ishte nën presion për të votuar kandidatët e qeverisë, ku fshehtësia e votës është kompromentuar, ku sistemi i patronazhistëve kontrollon zgjedhësit deri në mënyrë kapilare…

Dhe po e përmbyll për pjesën e KQZ-së: mjerisht, e lexoj shpeshherë ligjin thjesht me germë dhe e interpretoj në mënyrë të ngurtë.  Nëse do të lexoni këtë raport për një vend çfarëdo, si ekspert, do t’ju kërkoja të ma shprehni me dy fjalë se çfarë lloji zgjedhjesh ka pasur ai vend. Do të mund të ma përkufizoni? Kanë qenë zgjedhje të lira e të ndershme apo thjesht “zgjedhje”. Nga eksperienca e të gjithëve ne, na rezulton se u ka dalë qumështi i nënës nga hunda atyre që kanë tentuar dhe kanë qenë përkrahës të opozitës.

Nëse masa e madhe, sipas nesh, del 98-99%, duhet të jenë persona që kanë pasur vështirësi ose e konsideronin të pakalueshëm “murin” e aplikimit, ndërkohë që masa e madhe ka qenë 1 deri në 1 e gjysmë. Mua më shton dyshimin që masa e madhe, pikërisht ata që dalin 98.3% në një kuti, duhet të kenë pasur tjetër preferencë për t’u regjistruar, ndryshe nga ata që kanë qenë të identifikuar si persona haptazi haptazi kundër qeverisë.

Celibashi: Nuk jam në pozitën për ta debatuar, por thjesht për saktësi. Është e qartë se nuk ka qenë një proces i lehtë, sepse nivelet e sigurisë që ne aplikuam për procesin e regjistrimit nuk e bënin të thjeshtë atë. Por përtej kësaj, prap jemi te kjo shifër dhe kjo është një gjë që vërifikohet lehtësisht.

The post Strazimiri: Zgjedhjet nuk ishin të ndershme, OSBE e konfirmoi appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: