Skandal në kufi/ Serbia tenton të fusë materiale zgjedhore për të ndikuar rezultatin

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Përveç presioneve te qytetarët e komunitetit serb në Kosovës, Serbia ka vijuar tentativat e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet e sotme lokale edhe në forma tjera.

Gazeta Express, raporton se në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarninje, Policia e Kosovës ka sekuestruar disa materiale, fletë votime me të cilat, shteti serb ka planifikuar që të manipulojë procesin zgjedhor në komunat ku “Lista Srpska” ndihet më e rrezikuar nga kundërshtarët e saj, siç është komuna e Zubin Potokut, atje ku, Stevan Vulovic dhe subjekti “Kosovski Savez”, është duke rivalizuar kandidatin e Listës Srpska.

Sipas burimeve, bëhet e ditur se fletëvotimet ishin planifikuar që fillimisht të futen në Kosovë, e pastaj të hidhen edhe në kutitë e votimit. Më herët u raportua se Serbia po ushtronte presion mbi votuesit serbë të Kosovës. Për këtë shteti serb ka angazhuar edhe ish-policët që kanë dhënë dorëheqje në vitin 2022 nga detyrat e tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa.

“Deri më tani, nuk janë evidentuar parregullësi që do të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve. KQZ mbetet në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore nëpër komuna dhe institucione të ndryshme, me qëllim që të garantohet zbatimi i plotë i ligjit dhe rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit”, njoftoi KQZ.

Deri në orën 17.00 kanë votuar 32.55% e zgjedhësve. Votimi mbyllet në orën 19.00. /LAPSI.al

The post Skandal në kufi/ Serbia tenton të fusë materiale zgjedhore për të ndikuar rezultatin appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: