Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy po mbahet në një qeli prej 9 metrash katrorë në të ashtuquajturin krah VIP të burgut La Santé në Paris, ku filloi të vuajë një dënim 5-vjeçar për financim të paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 nga regjimi i Gadafit.
Qelia e tij ka një shtrat, tavolinë, një dush të vogël, tualet, dritare dhe televizor, për të cilat ai paguan 14 euro në muaj. Ka edhe një sobë elektrike, ndërsa Sarkozy ka qasje në një palestër dhe një bibliotekë.

Ai ka vendosur 10 fotografi personale në mure, duke e formësuar hapësirën aq sa i lejohet. Pjesa ku ai mbahet konsiderohet “e privilegjuar” dhe ka pritur të burgosur famëkeqë në të kaluarën, siç është Karlos Çakalli.
Çfarë simbolizojnë librat që ai mori me vete?
Sipas gazetës franceze “Le Figaro”, ish-presidenti mori me vete tre vëllime – numri maksimal i lejuar për të burgosurit . Midis tyre janë dy vëllime të “Kontit të Monte Kristos” të Alexandre Dumas dhe “Biografia e Jezusit” të Jean-Christian Petitfil.

Zgjedhja e Monte Kristos nuk është e rastësishme: heroi i Dumas, Edmond Dantès u burgos padrejtësisht dhe komplotoi hakmarrjen e tij – një vepër simbolike për ata që besojnë se janë dënuar padrejtësisht. Sarkozy, i cili këmbëngul në pafajësinë e tij, duket se njeh një paralele të dukshme në libër.

Nga ana tjetër, “Biografia e Jezusit” e Petifil është një qasje historike ndaj jetës së Krishtit, larg interpretimeve fetare – një zgjedhje që, sipas komentuesve, “balancon” gjendjen simbolike të hakmarrjes së Dumasit me konceptin e shpengimit.
Ish-presidenti i parë që burgoset që nga Lufta e Dytë Botërore
Sarkozi, 70 vjeç, është ish-udhëheqësi i parë francez që burgoset që nga Marshall Philippe Pétain, i cili bashkëpunoi me nazistët. “Një njeri i pafajshëm po çohet në burg”, tha ai para se të dorëzohej.

Sarkozi ka paraqitur tashmë një kërkesë për lirim, por gjyqtarëve mund t’u duhen deri në dy muaj për ta shqyrtuar atë. Ndërkohë, ai pritet ta kalojë kohën duke shkruar një libër të ri, ka thënë ai.
Burgu La Santé, i cili ka qenë në funksion që nga shekulli i 19-të, konsiderohet si një nga burgjet më rigoroze të Francës dhe strehon të burgosur të profilit të lartë në kushte maksimale sigurie. /Përgatiti LAPSI.al
The post Qelia VIP me TV ku po mbahet Nicolas Sarkozy/ Me vete mori “Konti i Monte Kristos” appeared first on Lapsi.al.
