Platforma “Liria ka Emër” ka vendosur tw martwn një pankartë para misionit të EULEX-it në Prishtinë, me mesazhin “Populli ju shpall të pafajshëm”, raporton KosovaPress.
Vendosja e pankartës vjen disa ditë para vendimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku më 16 shtator pritet të shpallet vendimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Para misionit të EULEX-it ka folur edhe Flaka Fazlija, vajza e dëshmorit Fatmir Fazlija. Ajo tha se kërkohet drejtësi, por ajo nuk mund të jetë e drejtë nëse shkëputet nga historia dhe harrohet se kush ishte agresori e kush viktima.
“Ne kërkojmë drejtësi, por nuk mund të jetë e drejtë nëse shkëputet nga historia, nuk mund të ketë nëse harrohet agresori dhe kush ishte viktima. Nëse lufta shndërrohet pas shumë dekadash në një proces kur viktima duhet të dëshmojë vazhdimisht pafajësinë e saj. Sot para jush ne vendosim një mesazh që paraqet pritjen, dhimbjen e bindjen e mijëra qytetarëve të Kosovës. Në emër të Kosovës ju shpalleni të pafajshëm. Kjo pankartë nuk është vetëm një kërkesë, është një porosi, paralajmërim demokratik që Kosova nuk do të heshtë ndaj asnjë përpjekjeje që shtrembëron historinë e saj dhe vendos luftën e saj çlirimtare në bankën e të akuzuarve”, tha ajo.
Fazlija theksoi se në Hagë nuk janë vetëm katër emra, por, sipas saj, pas tyre qëndron historia e një populli të përndjekur e të masakruar.
Ajo u bëri thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare që të mos e harrojnë, siç tha, sakrificën mbi të cilën është ndërtuar Kosova.
“Ne nuk presim vetëm një aktgjykim, presim përgjigjen e një pyetje shumë të madhe. A do të triumfojë drejtësia apo padrejtësia do të marrë vulën e drejtësisë. Në Hagë nuk janë vetëm katër emra. Pas tyre është një histori e një populli të përndjekur, e të masakruar. Nënat që kujtojnë bijtë, fëmijët që janë rritur pa baballarë. Këtu para misionit të EULEX-it i drejtohemi institucioneve ndërkombëtare, mos harroni se mbi cilën sakrificë është ndërtuar kjo republikë, mos barazoni çlirimtarin me pushtuesin. Dhe mos prisni se Kosova do të heshtë”, tha Fazlija.
Gjykata Speciale do të shpallë verdiktin final më 16 shtator për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Procesi gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së, ka hyrë në fazën përfundimtare, pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe argumenteve të palëve. Vendimi i trupit gjykues pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme që nga fillimi i procesit në Hagë.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
The post “Populli ju shpall të pafajshëm”, mesazh para EULEX-it në prag të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Euronews Albania.
