Kualifikueset e Europianit e Botërorit, UEFA gati reformën: grup unik si në Champions

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Procesi i kualifikimeve për Kampionatin Europian dhe për Kupën e Botës mund të ndryshojë së shpejti pamje. UEFA po shqyrton në fakt një ndryshim të formatit me idenë për ta bërë atë më tërheqës dhe më pak të parashikueshëm dhe, mes hipotezave të ndryshme që po merren në konsideratë, është edhe ajo e adoptimit të të njëjtit model me grup të vetëm që ka revolucionarizuar Champions Leaguen duke filluar nga sezoni i kaluar. Do të ishte pra një algoritëm që do të zgjidhte kundërshtarët e çdo kombëtareje, por me një renditje përfundimtare të përbashkët për të gjitha. Ashtu siç ndodh sot në fazën finale të të tria kompeticioneve europiane për klube.

Këtë e raporton Sport Bild, por që diçka po përgatitet e ka konfirmuar edhe vetë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin: “Nuk besoj se Kampionati Europian në vetvete do të ndryshojë (pra 24 skuadra me grupe dhe fazë me eliminim direkt, shën. red.), por ndoshta ndeshjet kualifikuese mund të jenë ndryshe – janë fjalët e tij të cituara nga e përditshmja gjermane. – Nuk do të ketë më shumë ndeshje, por një format më interesant. Po e mendojmë.”

Lexo më tej: Çfarë rrezikon Juventus pas hetimit të UEFA-s për shkeljet e Fair Play Financiar

Ndryshimi, që sipas Bild do të ishte propozuar nga një përfaqësues anglez gjatë një takimi në Malaga, do të vlente edhe për ndeshjet kualifikuese të konfederatës europiane për Kupën e Botës dhe mund të hynte në fuqi pas Europianit 2028, pra hipotetikisht që nga kualifikimet për Botërorin 2030. Komisioni i Garave për Kombëtaret e UEFA-s ka hapur një grup pune për të shqyrtuar të gjitha hipotezat në tavolinë, i cili do të mblidhet në fund të tetorit dhe synon të paraqesë në mënyrë të detajuar propozimet e ndryshme në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s më 3 dhjetor.

The post Kualifikueset e Europianit e Botërorit, UEFA gati reformën: grup unik si në Champions appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: