Partia Demokratike nis sot trajnimin për deputetët e rinj

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Partia Demokratike zhvillon këtë të enjte, më 23 tetor, një aktivitet të veçantë për trajnimin e deputetëve të rinj, në një format të ngjashëm me atë që Partia Socialiste e aplikoi pas zgjedhjeve të 11 majit përmes Akademisë së saj Politike.

Takimi, që do të mbahet në ambientet e një hoteli në Tiranë, nis në orën 10:00 dhe organizohet me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS). Në pjesën hyrëse do të mbajnë fjalë përshëndetëse kryetari i PD-së Sali Berisha, shefi i zyrës së KAS-it në Tiranë Thomas Kunze, si dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.

Qëllimi i trajnimit është përgatitja e deputetëve të rinj të opozitës për rolin e tyre në Kuvend, përmirësimi i komunikimit publik dhe forcimi i aftësive parlamentare. Në listën e deputetëve të rinj të PD-së përfshihen Gjin Gjoni, Arjan Ndoja, Manjola Luku, Artan Luku, Kliti Hoti, Zija Ismaili, Denisa Vata, Bledi Himçi, Klodiana Çapja, Ivi Kaso, Fidel Kreka dhe Besart Xhaferi.

The post Partia Demokratike nis sot trajnimin për deputetët e rinj appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: