“Ditari i një fotografi të luftës”, ekspozita në Prishtinë para vendimit në Hagë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Pak ditë para vendimit të madh në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, lufta e tyre dhe e shumë ushtarëve të tjerë kundër forcave serbe është paraqitur në një ekspozitë në qendër të Prishtinës. Autor i saj është Visar Kryeziu, fotograf i shumë mediave botërore gjatë luftës, veçanërisht i Associated Press. Ekspozita titullohet “Ditari i një fotografi të luftës” dhe është kuruar nga Eliza Hoxha, deputete e PDK-së dhe pjesë e platformës “Liria ka Emër”.

Kryeziu thotë se përmes kësaj ekspozite ka dashur të vërë në pah trimërinë e atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës, duke sjellë për publikun pamje që ai i ka dokumentuar vetë gjatë konfliktit.

“Ideja dhe qëllimi i ekspozitës ka qenë me i dhanë një frymë mbështetëse luftës së drejtë të UÇK-së gjatë gjykimit të komandantëve që po bëhet në Hagë, e që unë mendoj se është gjykim i padrejtë, edhe pse nuk jam njohës, jam vetëm gazetar. Kam qenë dëshmitar dhe mund të jem një lloj dëshmitari i asaj që kam parë dhe përjetuar, e një nga ato përjetime është për mua trimëria e pashoqe e djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thotë Visar Kryeziu, fotograf.

Ekspozita paraqet ushtarët e UÇK-së në aksion në disa zona të Kosovës, mes tyre edhe dy vajza të reja që përshëndeten me nënën e tyre përpara nisjes në luftë. Fotografitë pasqyrojnë gjithashtu largimin e popullsisë civile, përfundimin e luftës dhe transformimin e UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, proces i udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Kryeziu shprehet i impresionuar nga numri i madh i vizitorëve në ekspozitë, e cila është hapur në Galerinë e Arteve në Prishtinë. Ai thotë se interesi ka qenë aq i madh sa hapësira është mbushur plot gjatë ditëve të para të ekspozimit.

“Është pritë shumë mirë. Objekti i Galerisë së Arteve në Prishtinë është i sapohapur, i është rikthyer vëmendja dhe bukuria që ka pasur, por mund të them se ka qenë i stërmbushur, bile kemi pasur problem që nuk kishte ajër të mjaftueshëm. E falënderoj secilin që keni qenë, sepse më keni bërë të ndjehem krenar me punën që e kam bërë dhe mendoj se ia ka vlejtur, sepse kanë qenë disa net pa gjumë”, shprehet Kryeziu.

Ekspozita është pjesë e aktiviteteve të organizuara në Kosovë në pritje të vendimit të Dhomave të Specializuara për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, i cili pritet të shpallet të mërkurën e ardhshme.

The post “Ditari i një fotografi të luftës”, ekspozita në Prishtinë para vendimit në Hagë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: