Burgu grek në alarm/ Gjendet një pistoletë në zonën ku mbahet shqiptari i rrezikshëm

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Në burgun e njohur grek të Korydallos është dhënë alarmi, pasi sipas gazetës “Protothema” një pistoletë dhe 8 fishekë u gjetën të groposura në oborrin e repartit të 5-të.

Gjetja u pasua nga një mobilizim intensiv i forcave të sigurisë, pasi kriminelë të njohur mbahen në këtë repart të veçantë. “Potothema” shkruan se shqiptari Klodian Lekocaj, i njohur si kreu i të ashtuquajturës “mafia e burgjeve” është i vendosur në të njëjtën pjesë të burgut.

Edhe disa të burgosurit turq të dyshuar për përfshirje në vrasje po mbahen gjithashtu në repartin e 5-të. Kjo gjë ka rritur shqetësimet e autoriteteve se ku dhe nga kush mund të jetë futur arma në burg. Hetimi se si u gjet arma brenda burgut dhe si arriti të mbetej e fshehur në oborr është duke u zhvilluar.

Greqi, gjendet pistoletë në burgun e Koridhalos në sektorin ku mbahen shqiptarë e turq

Klodian Lekocaj, 48 vjeç, është një emër i njohur për autoritetet greke. Prej vitesh ai dyshohet për përfshirje në aktivitetet më të rënda kriminale si urdhërime vrasjesh, rrëmbime dhe trafikun e drogës. Lekocaj ka qenë i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në Greqi, ku përmenden vrasje me pagesë, atentate, plagosje dhe arratisje spektakolare nga burgjet.

Ai ka qenë i lidhur me persona të tjerë me precedentë të rëndë penalë, përfshirë shqiptarë dhe shtetas të tjerë të huaj. Disa nga ngjarjet ku emri i tij ka dalë në skenë janë vrasja e një avokati grek, plagosja e klientëve në një lokal në Mikrolimano, tentativa për grabitje me armë dhe vrasje në zonën e Metaksurgios. Ai është arrestuar për herë të fundit në nëntor 2014.

Vitet e fundit, policia greke e ka përfshirë emrin e tij edhe në disa dosje të tjera të rënda, përfshirë atentate të porositura ndaj shqiptarëve dhe gjobvënie ndaj biznesmenëve grekë. Emri i Klodian Lekocajt ka qenë i lakuar edhe si personi që ka dhënë urdhrin për ekzekutimin e Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja në Athinë dhe Edmond Papës në Tiranë. ©LAPSI.al

The post Burgu grek në alarm/ Gjendet një pistoletë në zonën ku mbahet shqiptari i rrezikshëm appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: