Lëvizja Bashkë dhe pensionistët, në protestë kundër pabarazisë sociale

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Lëvizja Bashkë së bashku me pensionistë të Tiranës protestuan të enjten perballë godinës së Parlamentit, duke kërkuar rritjen e pensioneve dhe miratimin e minimumit jetik, premtime të lëna në harresë nga qeveria “Rama”. Të enjten paradite, në ditën e seancës parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, aktivistë të Lëvizjes Bashkë si edhe pensionistë të Tiranës, protestuan përballë godinës së Parlamentit duke ngritur zërin në lidhje me kërkesat e tyre, të cilat prej vitesh kanë rënë në vesh të shurdhër.

Ata kërkuan rritjen e premtuar të pensioneve, miratimin e minimumit jetik, çmime të arsyeshme për të përballuar jetesën si edhe miratimin e statusit të minatorit. “Ne kemi ardhur të ngremë zërin për minimumin jetik, për shtresat në nevojë, për statusin e minatorit, për çështjet sociale,” tha Qani Shino, një prej pensionistëve në protestë.

“Edhe me këto çmime që janë rritur, as për njëmijë vjet fëmijët tanë nuk blejnë dot një shtëpi,” u ankua Shino gjatë fjalës së tij lidhur me kostot e papërballueshme të jetesës.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste premtoi rritjen e pensionit mesatar deri në 400 euro.

Redi Muçi, deputeti i Lëvizjes Bashkë, tha se këto premtime deri më sot kanë mbetur boshe.

“Në fushatë elektorale e premtoi pensionin mesatar 400 Euro, teksa aktualisht pensioni mesatar është 180 mijë lekë të vjetra,” tha Muçi, duke iu referuar premtimeve të kryeministrit Rama.

“Ai i indeksoi pensionet vetëm me 5 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që me përllogaritjet sipas premtimit duhet t’i kishte indeksuar me 50 mijë,” shtoi Muçi.

Edhe aktivistët e tjerë të Lëvizjes Bashkë shprehën zemërimin e tyre për pabarazinë e skajshme që ekziston në shoqërinë shqiptare.

“Ky parlament që i ka pesëfishuar pagat vetes, ndërkohë i ka lënë qytetarët shqiptarë në varfëri dhe mjerim të përgjithshëm” tha Klodi Leka, aktivist i Lëvizjes Bashkë.

“Ky shtet po i detyron qytetarët nga veriu në jug që të rreshtohen përpara këtij Parlamenti, pasi i ka lënë ato në harresë”, shtoi ai./Reporter.al

The post Lëvizja Bashkë dhe pensionistët, në protestë kundër pabarazisë sociale appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: