30 vjet pas vrasjes së Rabinit, Izraeli pyet veten: A është ende e mundur paqja?

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Turma që mbushi sheshin “Rabin” në Tel Aviv të shtunën në mbrëmje për të kujtuar Yitzhak Rabin, kryeministrin izraelit të vrarë nga një ekstremist i djathtë 30 vjet më parë, nuk ishte veçanërisht e madhe.

Mund të kenë qenë rreth 50 mijë vetë, shumica në moshë të mesme apo më të madhe. Ajo që ra në sy nuk ishte numri, por fjala që u dëgjua shpesh, një fjalë që prej vitesh mungon në tubimet politike në Izrael: “Po paqes, jo dhunës!”, brohorisnin njerëzit.

“Kërkimi i paqes është akt hebraik,” deklaroi Yair Lapid, kreu i opozitës dhe i partisë qendrore Yesh Atid.

“Rabin e dinte se paqja nuk është dobësi, por forcë,” shtoi Yair Golan, ish-gjeneral dhe drejtues i partisë së majtë Demokratët.

Hijet e së kaluarës dhe një “proces i ri paqeje”

Vrasja e Rabinit më 4 nëntor 1995 ndali me dhunë procesin e Oslos dhe e ktheu fjalën “paqë” në sinonim të naivitetit, madje edhe të majtizmit, në politikën izraelite që po zhvendosej gjithnjë e më djathtas.

Sot, megjithatë, po shfaqet një lloj i ri procesi paqeje: administrata Trump dhe aleatët e saj në botën myslimane po përpiqen të zgjerojnë armëpushimin e brishtë mes Izraelit dhe Hamasit në diçka më të qëndrueshme.

Synimi i tyre është demilitarizimi dhe rindërtimi i Gazës, duke filluar nga pjesa lindore nën kontrollin izraelit, si dhe zgjerimi i Marrëveshjeve të Abrahamit, që normalizuan marrëdhëniet e Izraelit me disa shtete arabe, drejt Arabisë Saudite, Sirisë apo Libanit. Disa madje përmendin edhe një rreze shprese për shtetësinë palestineze në të ardhmen.

Por përpara çdo hapi, Hamas duhet të kth ej trupat e pengjeve izraelitë.

Të hënën, Izraeli konfirmoi se kishte marrë trupat e tre ushtarëve: kolonelit Assaf Hamami, rreshterit Oz Daniel dhe kapitenit Omer Neutra (me shtetësi të dyfishtë izraelito-amerikane). Trupat e tetë të tjerëve mbeten ende në Gaza.

Është një periudhë me mundësi të mëdha, por edhe rreziqe të mëdha.

Një vend në udhëkryq

Kryeministri Benjamin Netanyahu u detyrua me presion të pranonte armëpushimin me Hamasin.

Shumë brenda koalicionit të tij do të donin rikthimin e luftës për “fitoren totale”, nga frika se Hamas mund të mbijetojë, të rimblidhet dhe të ringjallë fuqinë e tij ushtarake.

Në bisedat me qytetarë të zakonshëm, ndjehet qartë se Izraeli ndodhet në një udhëkryq, jo vetëm për Gazën, por për drejtimin e vet si shtet.

Në vitin e fundit, më shumë izraelitë kanë emigruar sesa kanë ardhur, dhe shumë besojnë se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë vendimtare për karakterin dhe të ardhmen e vendit.

Në pikëpyetje është edhe marrëveshja e brishtë sociale mes ultraortodoksëve, qindra mijëra prej të cilëve protestuan javën e kaluar në Jerusalem për të ruajtur përjashtimin nga shërbimi ushtarak, dhe rezervistëve të lodhur nga turnet e pafundme në Gaza.

Çfarë do të bëjë Netanyahu?

Shumëçka do të varet nga vendimet e tij në muajt e ardhshëm: Çfarë do të pranojë nën presion, çfarë do të vendosë si prioritet, dhe çfarë trashëgimie kërkon të lërë në moshën 76-vjeçare.

Po aq shumë do të varet nga mënyra si kundërshtarët e tij politikë do t’u drejtohen votuesve izraelitë të lodhur nga lufta, por ende skeptikë për paqen.

Kujtimi i Rabinit dhe paralajmërimi i sotëm

Në fjalimet e mbrëmjes së së shtunës, u theksua se Rabin kishte qenë luftëtar para se të bëhej njeri i paqes.

U përmend gjithashtu ngjashmëria e klimës aktuale politike me atmosferën e acaruar dhe polarizuese që i parapriu vrasjes së tij.

Golan kujtoi se “tre plumbat që vranë Rabinin ende ushtojnë sot, sa herë që qeveria nxit kundër qytetarëve të vet, sa herë që patriotët quhen tradhtarë, sa herë që protestuesit rrihen përse ushtrojnë të drejtën qytetare.”

Lapid, nga ana e tij, akuzoi partitë e djathta dhe fetare se po përçudnojnë vetë idenë e judaizmit, ashtu si dikur kundërshtarët e Rabinit.

“Racizmi i dhunshëm i Itamar Ben-Gvir nuk është judaizëm.

Kushdo që sugjeron hedhjen e një bombe atomike mbi Gazë, nuk përfaqëson judaizmin.

Dhuna e kolonëve nuk është judaizëm. Judaizmi nuk u përket ekstremistëve, as të korruptuarve, as atyre që shmangin shërbimin ushtarak.”

Paqja, dikur fjala e ndaluar, po rikthehet ngadalë në fjalorin politik izraelit, mes kujtimit të një lideri që besoi se forca e vërtetë qëndronte tek guximi për të ndalur luftën. 

The New York Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

The post 30 vjet pas vrasjes së Rabinit, Izraeli pyet veten: A është ende e mundur paqja? appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: