Gafe e Dembele e autogol i Vera: Tirana “mbyt” veten, Nuhiu e katranos ndaj Bylis

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Tre trajnerë në një fazë kampionat nuk është se ndryshojnë dot atë cfarë është Tirana këtë sezon. Humbje 0-2 përballë Bylis, në debutimin e teknikut Ardijan Nuhiu në pankinën bardheblu. Një gafë amatoreske e Dembele dhe një autogol i Vera, mbajnë bardheblutë në vendin e parafundit në nisjen e javës së 10 të Superiores.

Skuadra kryeqytetase zhvilloi një ndeshje shumë të dobët me trajnerin që kishte vetëm 48 orë në pankinë dhe kishte mundur të bënte vetëm një seancë stërvitore. Karabeci ishte zgjedhja e diskutueshme e Nuhiut, me ish-kapitenin që nuk kishte luajtur praktikisht fare këtë sezon. Sidoqoftë, fillimin e rrënimit të kryeqytetasve e nisi Dembele që humbi një top në mënyrën më naive të mundshme në minutën e 9’, duke i dhënë mundësinë Përgjonit të shënonte golin e parë.

Ballshiotët dominuan sfidën, edhe falë faktit se gjetën shpejt golin e avantazhit. Ata shpërdoruan raste të shumta për të shënuar, derisa e ndihmoi vetë Tirana të siguronte tre pikët me autogolin qesharak të Vera. Në minutën e 71’ Tirana kapitulloi, duke humbur një ndeshje ndaj një rivali që pretendonte ta linte pas në luftën për mbijetesë.

Kësisoj, Bylisi i largohet edhe më shumë zonës së ftohtë, ndërsa Tirana mbetet më e rrezikuar se kurrë për të rënë nga kategoria. Pas 10 javësh Superiore, Tirana mban vendin e parafundit në tabelë me 6 pikë, ndërsa Bylsi ngjitet në kuotën e 12 pikë, pozicioni i 6-të përkohësisht.

The post Gafe e Dembele e autogol i Vera: Tirana “mbyt” veten, Nuhiu e katranos ndaj Bylis appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: