Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Një episod në transmetim direkt është kthyer papritur, katër ditë nga transmetimi, në qendër të vëmendjes, duke sjellë reagim të përdoruesve pasi momenti është trajtuar si racizëm ndaj futbollistit të Burrelit Arnold Siaw. Në fakt, situata është krejt tjetër dhe pas akuzve që vërshuan mbi moderatoren Hygerta Sako dhe të ftuarit Gerd Haxhiu, Ardi Behari e Klajdi Kola në studio, klubi i Burrelit ka reaguar zyrtarisht përmes Drejtorit Sportiv, Klevis Gjoka.
Në një reagim publik, Gjoka ka thënë hapur se Burreli distancohet nga akuzat për racizëm në drejtim të RTSH-së, duke theksuar se “asnjë nga reagimet nga faqet në rrjetet sociale me emrin e klubit nuk është i faqes zyrtare të klubit”. Madje Drejtori Sportiv i matjanëve ka shkuar edhe më tej: “Pasi ka analizuar rastin disa herë me vëmendje në versionin integral të intervistës KS Burreli konstaton se nga drejtues apo moderatorja e emisionit në asnjë nga komentet e bëra nuk përmenden komente me nuanca racizmi apo diskriminimi ndaj lojtarit të skuadrës tone”.
KS Burreli reagim publik
KS Burreli njofton publikisht se distancohet nga akuzat për racizëm në drejtim të RTSH, në lidhje me episodin gjatë intervistës së lojtarit të skuadrës tonë, Arnold Siaw në emisionin “Supergol” me moderatoren Hygerta Sako. KS Burreli bën të ditur se asnjë nga reagimet nga faqet në rrjetet sociale me emrin e klubit, nuk është i faqes zyrtare të klubit, dhe në këtë mënyrë nuk përfaqëson qëndrimin e klubit.
Pasi ka analizuar rastin disa herë me vëmendje në versionin integral të intervistës KS Burreli konstaton se nga drejtues apo moderatorja e emisionit në asnjë nga komentet e bëra nuk përmenden komente me nuanca racizmi apo diskriminimi ndaj lojtarit të skuadrës tonë.
KS Burreli gëzon një partneritet të shëndetshëm me RTSH në transmetimin e ndeshjeve dhe promovimin e skuadrës në edicionet informative dhe fton tifozët të mos bien pre e spekulimeve me axhendë personale.
The post Burreli distancohet nga vorbulla e akuzave ndaj RTSH:”Spekulime me axhendë personale” appeared first on Lapsi.al.
