“Skims” e Kim Kardashian vlerësohet me 5 miliardë dollarë

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Skims, marka e veshjeve formuese bashkëthemeluar nga sipërmarrësja dhe ylli i mediave Kim Kardashian, ka arritur një vlerësim prej 5 miliardë dollarësh pas një raundi të ri financimi prej 225 milionë dollarësh.

Në këtë raund mori pjesë edhe një degë e gjigantit bankar të Uoll Stritit, Goldman Sachs, dhe fondet e mbledhura do të përdoren për të hapur më shumë dyqane dhe për t’u zgjeruar në tregjet ndërkombëtare.

“Nuk mund të presim ta çojmë Skims në nivelin tjetër, duke vazhduar të inovojmë dhe të vendosim standardin për industrinë tonë,” – tha Kim Kardashian të mërkurën.

Kompania, e cila aktualisht operon 18 dyqane në SHBA dhe shet produktet e saj nëpërmjet shitësve me pakicë në mbarë botën, tha se në vitet e ardhshme do të fokusohet kryesisht tek zhvillimi i rrjetit të shitjeve fizike.

Sipas drejtorit ekzekutiv Jens Grede, Skims pret që të ardhurat vjetore të kalojnë 1 miliard dollarë këtë vit, çka i jep kompanisë besim për të ndjekur objektivat afatgjata.

E lançuar në vitin 2019, Skims filloi me një linjë veshjesh formuese, por sot përfshin edhe rroba shtëpie, veshje sportive dhe kategori të tjera mode, duke hyrë gjithnjë e më shumë në tregun e athleisure – një hapësirë e dominuar nga marka si Lululemon dhe Alo Yoga.

Kompania ka ndërtuar një rrjet të fuqishëm ndikuesish, përfshirë familjen Kardashian dhe figura të njohura si Megan Fox dhe Paris Hilton, për të rritur ndikimin e saj tek publiku i gjerë.

Megjithatë, Skims nuk ka qenë pa polemika. Në fillim, kompania u kritikua për emrin “Kimono Intimates”, pasi shumë e panë si mungesë respekti ndaj veshjes tradicionale japoneze, gjë që çoi në ndryshimin e emrit në Skims.

Një tjetër debat u ndez rreth një produkti – një kapuç gjumi që supozohej se ndihmonte në formësimin e fytyrës gjatë natës. Disa e përshëndetën si inovacion, ndërsa të tjerë e quajtën “distopik”, duke akuzuar kompaninë se nxit pasiguri tek gratë.

Pavarësisht kritikave, rritja e shpejtë dhe vlera e lartë tregtare e Skims e bëjnë atë një nga markat më të suksesshme të konsumit në SHBA dhe një konkurrent serioz për liderët e tregut global të veshjeve sportive dhe të përditshme.

Shpërndaje: