Ministritë e Mbrojtjes të Izraelit dhe Greqisë nënshkruan një marrëveshje për mbrojtjen ajrore “Mburoja e Akilit” në Tel Aviv me vlerë afërsisht 3 miliardë euro.
Ministria izraelite e Mbrojtjes deklaroi se marrëveshja ishte “marrëveshja më e madhe e eksportit të mbrojtjes deri më sot në marrëdhëniet izraelito-greke dhe një nga marrëveshjet më të mëdha në historinë e Izraelit”.
Në ceremoninë e nënshkrimit, e cila u mbajt në kompleksin e Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit në Tel Aviv, morën pjesë zyrtarë nga Ministritë e Mbrojtjes të të dy vendeve.
Në deklaratë vihej në dukje se sipas marrëveshjes “Mburoja e Akilit”, me vlerë mbi 10 miliardë shekel (afërsisht 3 miliardë euro), Izraeli do të krijojë një rrjet shumështresor të mbrojtjes ajrore në Greqi, duke përfshirë sistemet David’s Sling dhe sistemin Barak MX për mbrojtje kundër avionëve dhe raketave, që do të instalohen nga Israel Aerospace Industries (IAI).
Marrëveshja thuhet se përfshin sistemet David’s Sling të Rafael dhe Barak MX të IAI, si dhe radarët shumë-misionorë Spyder të Rafael dhe MMR të IAI për kontrollin ajror.
Përveç kësaj, në marrëveshje u përfshi një sistem i ri kombëtar i komandës dhe kontrollit, që do të zhvillohej nën udhëheqjen e Rafaelit.
Në deklaratë thuhej se përveç marrëveshjes “Mburoja e Akilit”, u nënshkrua një marrëveshje tjetër me vlerë 26 milionë euro (afërsisht 92 milionë shekele) për shitjen e sistemeve Drone Dome të Rafael për të mbrojtur objektet strategjike nga mjetet ajrore pa pilot dhe për të forcuar mbrojtjet ekzistuese.
Ministria izraelite e Mbrojtjes deklaroi: “Izraeli do të rrisë bashkëpunimin industrial-mbrojtës me Greqinë, duke përfshirë transferimin e njohurive dhe teknologjisë në industrinë vendase të Greqisë. Ky projekt përfaqëson një tjetër kulm në bashkëpunimin mbrojtës midis Izraelit dhe Greqisë, një partner strategjik kyç i Izraelit në Mesdheun Lindor”.
The post Izraeli dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen e mbrojtjes ajrore “Mburoja e Akilit” appeared first on Euronews Albania.
