Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Kur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve anuloi tenderin për burgun e Kukësit, që e kishte fituar oligarku Pëllumb Salillari, u mendua se po vihet drejtësi. Më në fund, një tender ku zbatohet ligji! Por sot mësohet se tenderi “sekret” është mbajtur sërish dhe i është dhënë biznesmenit Nuri Balla, pa asnjë konkurrent në garë.
Sot në Agjencinë e Prokurimit Publik, është ërë e ditur se tenderi ëstë fituar nga Bashkimi i Operatorëve Ekonomik “ERGI” shpk dhe “LEAD
CONSULTING” shpk.

Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit: “Projektimi dhe ndërtimi i IEVP Kukës”, me fond limit 526 365 376lekë pa TVSH. Për këtë tender është zgjedhur procedura e prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, “e Kufizuar”, “e Klasifikuar”, në nivelin “E kufizuar”. Pra, ky është një tender “sekret”. Por megjithatë ligji urdhëron që tenderi të bëhet me jo më pak se dy pjesëmarrës.
Për të kapërcyer këtë pengesë, Nuri Balla dhe komisioni i tenderit kanë ftuar një kompani që është partnere e vjetër biznesi me “Ergi” shpk. Partneri ka rolin që të bëjë pjesëmarrje fiktive duke lehtësuar vendimmarrjen në favor të Nuri Ballës.
Konkretisht, në tender operatori i dytë pjesëmarrës në tenderin e burgut të Kukësit ka qenë bashkimi i kompanive “Colombo” shpk, “Alba Construksion shpk”, “ZEQILLARI” shpk dhe “INSTITUTI DEKLIADA” shpk.
Kompania “Colombo” shpk ka qenë më parë partnere në tendera me “Ergi” shpk duke marë pjesë me ofertë të përbashkët dhe marrëveshje bashkëpunimi. Për shembull, në vitin 2021, Erion Veliaj iu dha këtyre dy firmave (bashkim operatorësh) kontratën me objekt “Ndërtimi i ri i shkollës në rrugën “Besim Daja”(Programi i Rindertimit). Vlera e kontratës ishte 139 200 124,00 lekë.

“U verifikua adresa e emailit e vendosur në dispozicion të komunikimeve për këtë procedurë prokurimi, të caktuar në ftesën për ofertë dhe rezultoi se në këtë adresë nuk ka asnjë kërkesë për njohje me dokumentet e tenderit dhe fillimin e procedurës për hartimin e ofertës teknike dhe ekonomike apo cfarëdo kërkesë tjetër lidhur me procedurën e prokurimit “Projektim dhe ndërtim i IEVP Kukës” nga BOE “ALBA Construction” shpk, “COLOMBO” shpk” sqaron komisioni i ngritur nga drejtori Klevis Qose.
Në këto kushte, kjo ofertë nuk vlerësohet, sepse nuk shfaq interes! Pra, pjesëmarrja e kësaj kompanie është nul. Dyshohet se mes dy operatorëve pjesëmarrës ka pasur një marrëveshje të heshtur për koordinimin e ofertave.
Pas këtij “verifikimi”, për fazën 2 “Ftesa për Ofertë dhe Vlerësimi”, fitues shpallet kompania që konkurronte me veten, “ERGI” shpk.
Sqarojmë se oferta e Nuri Ballës është sa gati fondi limit: 522,122,580 lekë pa TVSH. Ky fakt mjafton për të anuluar tenderin. Por me sa duket, Nuri Balla ia paska gjetur anën drejtorit Klevis Qose.
Pse u anulua tenderi në korrik 2025?
Vetëm pas dy muajsh, që ishte shpallur, tenderi me vlerë 5.3 milionë euro, për burgun e Kukësit u anulua pasi i ishte dhënë në mënyrë tepër të dyshimtë firmës “Salillari”. Në datën 12 maj 2025, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me në krye Klevis Qosen, shpalli fitues Pëllumb Salillarin në tenderin e majmë për të ndërtuar burgun e Kukësit.
Por, vetëm pas 2 muajsh, e njëjta drejtori ia ka anuluar në mënyrë të beftë fitoren, duke ngritur shumë pikëpyetje për të gjithë procedurën.
“Njoftojmë se, kanë qenë pjesëmarrës në procedurë këta ofertues me vlerat përkatëse të ofruara “SALILLARI” me vlerë 528.300.000 lekë pa TVSH” thuhej në dokumentin e anulimit.
Në datën 14 korrik 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nxori një njoftim anulimi për këtë tender. “Arsyet e anulimit është “meqenëse asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit”. Po si u shpall “Salillari” fituese brenda 5 ditëve? Duhet të ketë pasur një ndërhyrje madhore nga lart tek Klevis Qose, sepse oligarkun Pëllumb Salillari i fiton kontratat publike pavarësisht kritereve.
Kush është Nuri Balla?
Nuri Balla është biznesmen nga Elbasani, i lakuar sepse favorizohet vazhdimisht nga zyrtarët e Rilindjes. Për shembull kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako, i ka dhënë kësaj kompanie tendera në tavolinë, të programit të Rindërtimit. Një nga këto është tenderi me objekt “Ndërtim i ri gjimnazi Manëz, Njësia Administrative Manëz”, që iu dha Nuri Ballës me “flamur të kuq”. Këtë shenjë e përdor open data Albania për të treguar riskun e korrupsionit. Kështu 3.1 milionë euro do të xhirohen tek llogaria Nuri Ballës.
Në vitin 2022, Ballës i janë dhuruar 169 milionë lekë në tenderin që kishte si objekt për të siguruar automjetet që do të përdoren për shpërndarjen e mbetjeve brenda landfillit. Tenderin e zhvilloi “ECO ELB Sh.A”. Pjesëmarrës sipas dokumenteve ishte vetëm “ERGI” sh.p.k. që është shpallur edhe fitues.
Ky operator u zotua se do të siguronte mjetet që i duhen për transportin e mbetjeve të rënda, përfshirë dhe buldozerët për të shpërndarë mbetjet brenda landifllit. Kujtojmë se prej fundit të vitit 2021, Inceneratori i Elbasanit u sekuestrua nga SPAK pas hetimeve për korrupsion me koncesionin. Por pazaret vazhdonin edhe më pas, ku ka përfituar Nuri Balla.
Gjithashtu, kjo kompani është denoncuar edhe nga vetë deputetët e mazhorancës për tenderin 65.3 milionë lekë për mirëmbajtjen e rrugës Fier Shegan-Divjakë.
“ERGI” në bashkëpunim me një tjetër firmë në kontratë, nuk e kanë mirëmbajtur asnjë ditë të vetme rrugën duke e lënë atë në gjendje të mjerueshme. Kontrata e fundit ka nisur ne Gusht 2022 dhe ka patur zero mirëmbajtje nga ky grup kompanish nën kontratë, sipas denoncimit publik.
Tenderi për mirëmbajtjen me performancë të segmenteve rrugore Fier Shegan – Divjakë + K/Rr. Nacionale – Grabian + Strumë – Qafë Marinëz” u zhvillua në mars 2022. Në garë u paraqitën 5 oferta, por ARRSH shpalli fituese bashkimin e kompanive Ergi dhe BE-IS për vlerën 65.3 milionë lekë. Kontrata u lidh në gusht 2022 me afat 24 muaj.
Mashtrimet e Nuri Ballës: Merr lekë për punë të pakryera!
Në 12 tetor 2020, Bashkia e Elbasanit, me firmën e ish nënkryetares Aulona Bylykbashi, ka shpallur fituese kompaninë Ergi shpk për tenderin me objekt ‘rikonstruksion, shtesë 4-kat dhe palestër, Shkolla Artistike “Onufri (e mesme e bashkuar)’. Fondi limit ishte 1.7 milionë euro, ndërsa oferta fituese rezulton rreth 1.6 milionë euro.
Fitues u shpall pronari i kompanisë së ndërtimit Ergi shpk Nuri Balla. Për mbikqyrjen e punimeve të rikonstruksionit, shtesë 4-kat dhe palestër, Shkolla Artistike “Onufri”, Bashkia Elbasan ka shpallur fituese kompaninë Erald-G shpk, duke skualifikuar 8 shoqëri të tjera. Pronar dhe administrator i kompanisë Erald-G shpk është Gëzim Islami.
Kompania Ergi shpk ka abuzuar me zbatimin e kontratës për rikonstruksionin, shtesë 4-kat dhe palestër, Shkolla Artistike “Onufri”, duke përvetësuar paratë publike. Shoqëria Ergi shpk, në bashkëpunim me kompaninë Erald-G shpk, kanë mashtruar me volumin e punimeve, kanë certifikuar punime të pakryera, pra kanë bërë situacione false, duke përvetësuar me të pa drejtë paratë publike. Kompania e zbatimit të punimeve e ka të pamundur të devijojë dhe manipulojë pa bashkëpunimin e kompanisë së mbikqyrjes së punimeve.

Vjedhja e parave publike konstatohet nga një raport i Kontrollit të Lartë i Shtetit për auditimin e veprimtarisë së Bashkisë Elbasan. Sipas KLSH-së fituesit e tenderave janë shpallur pa plotësuar kriteret, ndërsa në rastet kur i kanë plotësuar, kanë mashtruar me zbatimin e kontratave.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
The post Skandal tek Burgjet, Klevis Qose i jep 5.3 miliardë lekë Nuri Ballës me tender “sekret” appeared first on GIJOTINA.
