Katër ditë filma dhe art, Gjirokastra e Dropulli bashkojnë kinematografinë rajonale

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Është hapur edicioni i gjashtë i “Dropull International Short Film Festival”. Për herë të parë, festivali zhvillohet njëkohësisht në Gjirokastër dhe Dropull, duke sjellë në ekranin e madh 30 filma konkurrues nga Shqipëria, Kosova dhe Greqia.

Përgjatë katër ditëve, krahas shfaqjeve filmike, programi përfshin edhe workshope për filmin, animacionin dhe pikturën, ku marrin pjesë artdashës të moshave të ndryshme. Organizatorët synojnë që festivali të shërbejë jo vetëm si një hapësirë për prezantimin e filmave, por edhe si një pikë takimi për krijuesit e rinj.

Festivali ka tërhequr edhe pjesëmarrës nga vendet e rajonit, të cilët e shohin këtë aktivitet si një mundësi për bashkëpunim në fushën e kinematografisë dhe njohjen me publikun shqiptar.

Për disa prej pjesëmarrësve, festivali është edhe një mundësi për të prezantuar për herë të parë krijimet e tyre në Shqipëri. Një prej regjisoreve konkurruese e ka cilësuar Gjirokastrën një qytet tërheqës, duke shprehur urimin për suksesin e festivalit.

Në këtë sezon vere, “Dropull International Short Film Festival” e ka kthyer Gjirokastrën në një pikë takimi për kinematografinë rajonale. Përmes filmave dhe aktiviteteve artistike, organizatorët synojnë të afrojnë më shumë publikun me artin e shtatë dhe të forcojnë bashkëpunimin kulturor mes vendeve të rajonit.

The post Katër ditë filma dhe art, Gjirokastra e Dropulli bashkojnë kinematografinë rajonale appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: