Kurti: Në Kalludër e Jabukë u gjetën mbetje mortore të 23 personave, numri përkon me “Grupin e Intelektualëve”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në tri lokacione në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave, të cilët dyshohet se mund të jenë pjesëtarë të grupit prej 23 intelektualësh të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Lajmi u bë i ditur të hënën nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të raportit përmbledhës të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur lidhur me gërmimet në komunën e Zubin Potokut.

Sipas të dhënave të institucioneve, në lokacionin e parë, në zonën ndërmjet Kalludrës së Madhe dhe Kalludrës së Vogël, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 13 personave. Në lokacionin e dytë, në Jabukë, janë gjetur mbetje të së paku katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë në Kalludër janë gjetur mbetje mortore të së paku gjashtë personave.

Kurti tha se tashmë ka nisur procesi i identifikimit. Mostrat e mbetjeve mortore nga lokacioni në Jabukë janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për mbetjet e tjera po vijojnë ekzaminimet paraprake në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Numri 23 përkon me atë që njihet si Grupi i Intelektualëve”, tha Kurti, duke iu referuar 23 personave të cilët, sipas tij, më 19 prill 1999 u ndaluan dhe u rrëmbyen nga forcat serbe dhe më pas u pushkatuan.

Ai theksoi se përputhja e numrit të mbetjeve të gjetura me numrin e personave të zhdukur nuk mund të konsiderohet ende si identifikim përfundimtar.

Procesi, sipas Kurtit, mund të zgjasë edhe disa muaj, deri në përcaktimin me saktësi të identitetit të viktimave.

“Vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”, tha ai.

Kurti e cilësoi pritjen e familjeve të personave të zhdukur si një dhimbje dhe ankth të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ato kërkojnë jo vetëm zbardhjen e fatit të familjarëve, por edhe drejtësi.

Tri lokacione, së paku 23 viktima

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, tha se kërkimet në këtë zonë nuk janë të reja.

Sipas tij, përpjekje për identifikimin e varrezave individuale, kolektive dhe masive janë bërë që nga fillimi i vitit, por edhe në vitet e mëparshme, pa rezultate konkrete.

Limani tha se gjetjet e fundit janë rezultat i punës së institucioneve të sigurisë dhe, në veçanti, të njësisë së Policisë së Kosovës që merret me personat e zhdukur.

“Përpjekjet për të hulumtuar, për të gjetur varreza, qofshin varre individuale apo varre kolektive apo masive, janë bërë që nga fillimi i vitit, e natyrisht janë bërë edhe viteve të tjera, por për fat të keq ato kanë rezultuar pa gjetje konkrete”, tha Limani.

Ndërkaq, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, dha detaje për tri lokacionet e identifikuara në zonën e Zubin Potokut.

The post Kurti: Në Kalludër e Jabukë u gjetën mbetje mortore të 23 personave, numri përkon me “Grupin e Intelektualëve” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: