Moti i keq në Veri/ Rrëshqitje dherash dhe përmbytje, rrufeja djeg një banesë

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet e ujërave si pasojë e motit të keq kanë bllokuar disa zona malore në Dukagjin, duke izoluar përkohësisht banorët.

Situata paraqitet më problematike në aksin Theth–Ndërlysa dhe në segmentin Ndërlysa–Breg Lumi, ku disa fshatra mbeten të shkëputur pasi rrugët janë bërë të pakalueshme.

Autoritetet vendore njoftojnë se po pritet ndërhyrja e mjeteve të bashkisë Shkodër dhe ekipeve të Emergjencave Civile, të cilave do t’u bashkohen edhe Forcat e Ushtrisë, me qëllim zhbllokimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit normal për banorët e zonës.

Ndërkohë, rruga kryesore Shkodër–Theth raportohet të jetë e kalueshme dhe pa probleme, ashtu si edhe akset nacionale dhe rrugët kryesore në gjithë qarkun Shkodër.

Përveç izolimit të fshatrave, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e energjisë elektrike në shumë zona të bashkisë Vau Dejës dhe në disa fshatra të tjerë malorë ku moti i keq ka shkaktuar defekte në rrjet. Situata e rënduar nga kushtet atmosferike shoqërohet edhe me një incident të rëndë gjatë natës në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe, ku një banesë dykatëshe u përfshi nga flakët rreth orës 02:00.

Banesa e shtetasit Zef Preknicaj është djegur plotësisht pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit mendohet të ketë qenë një rrufe, e shkaktuar nga aktiviteti i shtuar elektrik në atmosferë gjatë 24 orëve të fundit.

The post Moti i keq në Veri/ Rrëshqitje dherash dhe përmbytje, rrufeja djeg një banesë appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: