Aktakuza: Shërbimi Informativ i Serbisë synoi të ndikonte përmes Shehollit në zgjedhjet në Kosovë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një plan i dyshuar për ndërhyrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 është një nga dyshimet kryesore të Prokurorisë Speciale të Kosovës në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka parë KosovaPress, Sheholli dyshohet se ka vepruar në interes të Shërbimit Informativ të Serbisë, BIA, duke zbatuar detyra që, sipas Prokurorisë, i ishin dhënë nga zyrtari i këtij shërbimi, Bojan Dimiç.

Prokuroria pretendon se qëllimi i planit ishte dëmtimi i interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrja direkte në procesin zgjedhor.

Në kuadër të këtij plani, sipas aktakuzës, më 26 shtator 2025 Sheholli kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut, ku kishte pranuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Materialet, sipas Prokurorisë, synonin komprometimin e këtyre zyrtarëve. Për këtë detyrë, Sheholli dyshohet se kishte marrë 5 mijë euro.

Më pas, sipas aktakuzës, ai ia kishte dorëzuar materialet një gazetari, së bashku me 1 mijë euro, duke e udhëzuar për mënyrën dhe kohën e publikimit. Publikimi, pretendohet, ishte planifikuar vetëm disa ditë para zgjedhjeve, me synim ndikimin në opinionin publik dhe procesin zgjedhor.

Sheholli akuzohet për veprën penale “Spiunazh” dhe prej muajsh ndodhet në paraburgim. Ai u arrestua më 9 tetor 2025 nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me AKI-në dhe Prokurorinë, nën dyshimet për përfshirje në spiunazh për BIA-n serbe.

The post Aktakuza: Shërbimi Informativ i Serbisë synoi të ndikonte përmes Shehollit në zgjedhjet në Kosovë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: