“Nuk kërkojmë falje”/ The Guardian: Tension mes qeverive të Tiranës dhe Londrës

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama kundër sekretares së Brendshme Britanike, Shabana Mahmood ka shkaktuar reagime në Londër. Fillimisht ishte ministrja britanike që në prezantimin e planit për emigracionin në parlament mori si shembull 700 familje shqiptare që u është refuzuar azili dhe vazhdojnë të qëndrojnë në vend duke u mbajtur me paratë e taksapaguesve.

“Ne duhet të largojmë ata që kanë dështuar në kërkesat për azil, pavarësisht se kush janë ata. Sot, ne nuk po largojmë grupe familjare, edhe kur e dimë se vendi i tyre i origjinës është plotësisht i sigurt. Për shembull, ka rreth 700 familje shqiptare që jetojnë në strehim të financuar nga taksapaguesit që kanë dështuar në kërkesat e tyre për azil – pavarësisht një marrëveshjeje ekzistuese kthimi dhe Shqipërisë që është nënshkruese e konventës evropiane për të drejtat e njeriut” – tha Mahmood.

Rama e quajti të papranueshëm këtë veçim të shqiptarëve, të cilët sipas tij, në Britaninë e Madhe janë në shifra të papërfillshme dhe se kjo është një retorikë që i shkon për shtat të djathtës ekstreme dhe jo laburistëve.

The Guardian” shkruan duke cituar një burim nga qeveria shqiptare tha se ka pasur një tension në rritje midis qeverive të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht bashkëpunimit të suksesshëm mbi politikat e imigracionit.

Sipas të përditshmes britanike “sulmi i Ramës ka shkaktuar gjithashtu shqetësim në Whitehall (qeverinë britanike), sepse Ballkani Perëndimor shihet si një rrugë kryesore tranziti për azilkërkuesit që përpiqen të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar”.

Pas deklaratave të Ramës ka reaguar një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike që tha: “Ne e mirëpresim partneritetin me Shqipërinë për kthimet. Megjithatë, sot mijëra familje që nuk kanë marrë azil janë të bllokuara të akomoduara dhe të mbështetura me shpenzimet e taksapaguesve, pavarësisht se vendi i tyre i origjinës është plotësisht i sigurt. Qeveria nuk kërkon falje që ka filluar të largojë familjet në shtëpi” – tha ai.

Oficerë të sigurisë kufitare të Mbretërisë së Bashkuar u dërguan në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë verës për të ndërtuar lidhje dhe për të mbledhur informacione mbi bandat e kontrabandës. ©LAPSI.al

The post “Nuk kërkojmë falje”/ The Guardian: Tension mes qeverive të Tiranës dhe Londrës appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: