Dëbora zbardh veriun, këto janë zonat ku duhet të bëjnë kujdes drejtuesit e mjeteve

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Reshjet e dëborës kanë përfshirë prej tre ditësh zonat malore në veri të Shqipërisë, duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe probleme me furnizimin me energji elektrike. Situata më e rënduar paraqitet në Qarkun e Shkodrës, veçanërisht në zonat turistike të Thethit, Bogës dhe Razmës, ku trashësia e dëborës arrin në disa centimetra.

Sipas raportimeve,  akset rrugore Koplik-Bogë, Dedaj-Razëm dhe Bogë-Theth janë të kalueshme, por përdorimi i zinxhirëve është i domosdoshëm për të gjithë dre7jtuesit e automjeteve. Edhe pse reshjet e dëborës kanë pushuar, temperaturat e ulëta kanë krijuar ngrica në rrugë, duke shtuar rrezikshmërinë.

Ndërkohë, po punohet për zgjerimin e rrugës në aksin e Qafë-Thores dhe po monitorohen faqet malore për rrezikun e ortekëve të mundshëm, pasi në disa zona trashësia e dëborës i kalon një metër.

Reshje dëbore janë regjistruar edhe në Bashkinë e Fushë-Arrëzit, në lartësinë mbi 950 metra, por pa shkaktuar probleme në qarkullim apo izolim të banorëve.

Një tjetër problematikë mbetet furnizimi me energji elektrike. Shumë zona malore në bashkitë Malësi e Madhe, Fushë-Arrëz dhe Pukë kanë mbetur pa energji. Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike në këto zona.

Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të zonave veriore dhe pajisjen e detyrueshme me zinxhirë për të shmangur incidentet. Deri më tani, nuk raportohet për problematika të theksuara apo bllokim të banorëve.

The post Dëbora zbardh veriun, këto janë zonat ku duhet të bëjnë kujdes drejtuesit e mjeteve appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: