Dosja “21 Janari”/ Meta kërkesë prokurorit: Dua të pyetem si person në dijeni

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Ilir Meta ka kërkuar këtë të martë që të merret në pyetje në lidhje me dosjen e 21 Janarit.

Burime për mediat bëjnë me dije se Meta, ka thirrur sot mbrojtësin e tij ligjor, Avokatin Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar t’i bëjë kërkesë prokurorit A.Shehu për t’u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me “21 Janarin”.

Për të njëjtën dosje, SPAK thirri më herët edhe Sali Berisha për ta marrë në pyetje.

Hetimi për ngjarjen e 21 janarit është rihapur nga SPAK një vit më parë, pas vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë që urdhëronte Prokurorinë e Posaçme të hetonte një kallëzim të bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, njëri prej 4 viktimave të 21 Janarit.

Kujtojmë se në demonstratën e 21 Janarit të vitit 2011 u vranë Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste (asokohe opozitë) para kryeministrisë, ka mbetur pa autorë dhe prokuroria e pati pezulluar atë për vite me rradhë në kërkim të provave.

The post Dosja “21 Janari”/ Meta kërkesë prokurorit: Dua të pyetem si person në dijeni appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: