Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Nëna e Mark Samsonit, 23-vjeçarit që vrau ish-të dashurën e tij shqiptare, Ilaria Sula, më 26 mars, është dënuar me 2 vjet burg për fshehjen e një kufome. Megjithatë, Nosr Manlapaz nuk do të shkojë në qeli pasi arriti të marrë një marrëveshje pranimi të fajësisë me një dënim me kusht. Gjykatësi e miratoi kërkesën e saj dy ditë më parë, duke mbyllur një pjesë të hetimit që kishte ngritur pikëpyetje rreth përfshirjes së saj që nga fillimi. Gjyqi kundër Mark Samson, do të fillojë më 9 dhjetor.
Familja Sula është e zhgënjyer thellë nga vendimi. “Për ne, kjo nuk është drejtësi”, – tha për ANSA-n Flamur Sula, babai i Ilaria. “Ne u shkatërruam pasi pamë një gjyq që zgjati 5 minuta. Një person që pastroi litra gjak të vajzës sime që ishte hedhur në tualet… për ne, kjo nuk është drejtësi.”

Sipas hetimeve, vrasja ndodhi në apartamentin e autorit në Via Homs, në lagjen Africano të Romës. Mark Samson dyshohet se e sulmoi Ilaria Sulën, duke e goditur me thikë në qafë të paktën 3 herë, duke i shkaktuar shok hemorragjik fatal. Pasi e vrau, ai e mbështolli trupin e saj në një qese dhe më pas e vendosi në një valixhe, të cilën e çoi me makinë në një zonë të pyllëzuar në Poli, ku e braktisi.
Që në fillim, hetuesit dyshuan se djali nuk kishte vepruar vetëm. Të dhënat e telefonit celular të nënës së tij e vendosnin atë në shtëpi gjatë orëve të ngjarjes dhe logjika sugjeronte se ajo mund ta kishte ndihmuar pas krimit.

Gjatë një marrjeje të gjatë në pyetje, Nosr Manlapaz, nëna e djalit, pranoi përfshirjen e saj: “E ndihmova të pastronte shtëpinë, të hiqte gjithë atë gjak”. Gruaja e përshkroi djalin e saj si të dridhur dhe të frikësuar, dhe momenti kur pa Ilarinë të shtrirë përtokë: një imazh që e shtyu të ndërhynte për të pastruar gjurmët dhe për të ndihmuar djalin e saj të fshihte trupin.
Sipas hetuesve, roli i nënës ishte vendimtar në mbulimin e ngjarjes. Ajo ndihmoi në pastrimin e apartamentit dhe në eliminimin e provave kompromentuese. Marrëveshja për pranimin e fajësisë e ka zgjidhur pozicionin e saj, por për familjen e Ilarias, mbetet një çështje e pazgjidhur teksa vëmendja kryesore kalon tani në gjyqin që do të përcaktojë përgjegjësinë e plotë të Mark Samson. ©LAPSI.al
The post U dënua me 2 vjet, por nëna e autorit të vrasjes së Ilaria Sulës i shpëton burgut appeared first on Lapsi.al.
