Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” u largua me forcë nga sheshi para Kryeministrisë, ku po protestojnë prej një jave dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë “Rama” pas skandalit abuziv me tenderin e tunelit të Llogarasë të zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK dhe nën masë sigurie pezullim nga detyra dhe bllokim pasaporte prej GJKKO-së.
Megjithatë, kryetari i saj, Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij, nuk janë dorëzuar.
Ata janë zhvendosur disa metra më tej, matanë Bulevardit, në krah të Kryesisë së Kuvendit, ku janë grumbulluar në rreth, duke ndezur edhe furnelat e vogla për ngrohje dhe hedhur batanije për shkak të të ftohtit.

Ata u spostuan pasi Policia ndërhyri duke krijuar gardhin e sigurisë një orë para se të niste Foltorja e PD-së dhe liderit të saj Sali Berisha, që gjithashtu kanë të njëjtat kërkesa, dorëheqjen e qeverisë pas skandalit “Balluku”.
Mbështetësit e Lapajt dhe vetë ky i fundit patën edhe konfrontime me efektivët gjatë ndërhyrjes, madje u pretendua edhe për lëndim të një protestuesi.
Lapaj bëri edhe ironi me Policinë, duke thënë se ata ishin të armatosur mirë me “portokalle, batanije e shishe uji si raketa” për të sulmuar Kryeministrinë, ndaj i larguan, duke u mohuar tashmë edhe të drejtën e protestës.
The post Pas përplasjes me policinë, protestuesit e Lapajt mblidhen krah Kryesisë së Kuvendit appeared first on Lapsi.al.
