Ish-presidenti socialist i Francës, François Hollande, ka publikuar të enjten librin e tij të ri, “Bashkohuni. Botë e Re, E Majta e Re”, ku paraqet 80 propozime për të ardhmen politike të vendit.
Publikimi i librit shihet si një përpjekje e Hollande për t’iu drejtuar veçanërisht elektoratit të qendrës dhe për të rikthyer veten në debatin politik francez. Megjithatë, ish-presidenti ende nuk ka vendosur nëse do të garojë për postin më të lartë të vendit.
Hollande ka deklaruar se do të presë deri në dhjetor për të bërë të ditur vendimin e tij. Ai nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake të së majtës, të parashikuara për tetor, duke thënë se fillimisht do të vlerësojë nëse prej tyre do të dalë një kandidat serioz.
Ish-presidenti francez, i cili zgjodhi të mos kërkonte një mandat të dytë në vitin 2017 për shkak të niveleve të ulëta të mbështetjes, rikthehet kështu në qendër të vëmendjes politike.
Në librin e tij të ri, Hollande argumenton se Franca duhet të ndryshojë metodat, perspektivën dhe “nivelin e ambicies”, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi në garën presidenciale.
The post 80 propozime për të ardhmen politike të vendit, ish-presidenti i Francës publikon librin e tij appeared first on Euronews Albania.
