Përmbytje në Mitrovicën e Veriut, evakuohen 15 familje, apelohet për kujdes

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Situata e shkaktuar nga përmbytjet në Kosovë ka filluar të stabilizohet, megjithatë në disa pjesë të vendit është nevojitur ndërhyrja e ekipeve të emergjencës.

Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësive operative në terren, situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës. Niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe nuk paraqitet rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja.

Gjendje me problematike është paraqitur në rajonin e Mitrovicës, ku nga ora 2 e mesnatës deri më tani janë evakuuar gjithsej 15 familje nga lagjja “2 Korriku” në këtë qytet. Kjo është bërë e ditur nga Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi. Sipas Ibishit, ekipet në terren po përballen edhe me vështirësi shtesë, pasi disa banorë po refuzojnë evakuimin.

“Disa banorë po dalin, disa jo. Kjo po na krijon problem dhe po kërkon organizim të kujdestarisë. Gjendja nuk është e mirë, por nuk mund të them se është diçka jashtëzakonisht alarmante”, ka thënë Burim Ibishi, Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut.

Ai ka shtuar se për momentin ujërat janë ende brenda shtretërve të tyre dhe nuk kanë dalë jashtë, por lagjet “2 Korriku” dhe “Lisica” mbeten më problematiket, ku zjarrfikësit po përballen me më së shumti telashe dhe po qëndrojnë në gatishmëri të vazhdueshme.

Megjithatë, ndërprerja e shiut ka bërë që situata të nis të qetësohet, derisa reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta kane sjellë probleme të tjera për zonat e përmbytura dhe në qarkullim nëpër rrugët e vendit.

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se janë në terren dhe se rrugët në përgjithësi janë të kalueshme, por ka bërë apel për kujdes të shtuar.

Ndërkohë, sipas AME-së, në rajonin e Prishtinës ka vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore dhe situata mbetet e menaxhueshme.

Në Prizren gjatë natës janë raportuar shumë pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike. Në rajonin e Pejës ka pasur dy intervenime të raportuara, gjegjësisht në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje. Ndersa në komunat tjera gjendja stabile. Në Gjakovë dhe Gjilan situatë është e qetë dhe nën kontroll, derisa ka rënie të nivelit të ujit në lumenjtë e vendit.

Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë viktimë si pasojë e këtyre vërshimeve, por dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme.

Si pasojë e reshjeve e përmbytjes në disa pjesë të vendit ka pasur problem edhe me furnizim me ujë të pijshëm, për ç’ka kompanitë rajonale të ujësjellësit jan detyruar të ofrojnë ujë me çisterna për banorët.

The post Përmbytje në Mitrovicën e Veriut, evakuohen 15 familje, apelohet për kujdes appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: