Rastësi apo ngjarje të lidhura me njëra-tjetrën? Qipro nis hetimet pas vdekjes së zyrtarit rus dhe zhdukjes së biznesmenit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Qiproja është vënë në gatishmëri të shtuar, ndërsa autoritetet po hetojnë dy raste misterioze dhe potencialisht të lidhura me njëra-tjetrën, vdekjen e një zyrtari të lartë në Ambasadën Ruse në Nikozi dhe zhdukjen e një biznesmeni rus në Limasol.

Sipas raportimeve të mediave vendase, një zyrtar i lartë i Ambasadës së Federatës Ruse në Nikozia u gjet i vdekur brenda zyrës së tij në mesditën e së enjtes, më 8 janar 2026. Autoritetet thuhet se u njoftuan disa orë më vonë.

Kur oficerët e policisë mbërritën në ambasadë, atyre nuk iu lejua të hynin në ndërtesë. Trupi i diplomatit rus, Alexei Panov iu dorëzua më vonë policisë në oborrin e ambasadës. Zyrtarëve të zbatimit të ligjit nuk iu dha leja për të kryer një hetim në vendngjarje.

Ambasada ruse informoi autoritetet se vdekja ishte pasojë e vetëvrasjes. Gjithashtu u raportua se ambasadori rus la një letër, e cila sipas ambasadës, do të dërgohet direkt në Moskë dhe nuk do t’u jepet autoriteteve.

Në të njëjtën kohë, autoritetet po hetojnë zhdukjen e biznesmenit rus Vladislav Baumgertner, i cili u zhduk nga Limasoli më 7 janar, një ditë para se trupi i diplomatit të zbulohej në Ambasadën Ruse.

56-vjeçari, Baumgertner është ish-drejtues i kompanisë Uralkali. Ai vijon të jetë i zhdukur pavarësisht operacioneve të gjera të kërkimit. Sinjali i fundit nga telefoni i tij celular u gjurmua në një zonë të largët bregdetare, me kushte të këqija atmosferike që ndërlikuan përpjekjet e kërkimit.

Të dy incidentet vijnë në mes të një periudhe tensioni të shtuar në marrëdhëniet midis Qipros dhe Rusisë. Nikozia kohët e fundit ka raportuar atë që e përshkruan si një “sulm hibrid nga qendrat ruse” dhe përpjekje të dyshuara për destabilizim, në kontekstin e zhvillimeve më të gjera ndërkombëtare.

Policia e Qipros po pret gjetjet mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse rastet përfaqësojnë një rastësi apo një akt të koordinuar me implikime politike. Këto përfshijnë marrjen e Presidencës së Këshillit Evropian nga Qiproja dhe vizitën e fundit të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në ishull.

The post Rastësi apo ngjarje të lidhura me njëra-tjetrën? Qipro nis hetimet pas vdekjes së zyrtarit rus dhe zhdukjes së biznesmenit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: