Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës së Reçakut. Ai shkruan se kjo masakër nuk mund të harrohet dhe se thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet.
Sipas Kreut të Shtetit, denoncimi nga Ambasadori William Walker ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë.
“Sot përkujtojmë masakrën e Reçakut dhe nderojmë martirët e saj. Denoncimi i saj 27 vite më parë nga Ambasadori William Walker ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë. Ndërgjegjësimi solli Konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, lirinë, shtetin e Kosovës dhe paqen që sot e gëzojmë bashkërisht. Kjo masakër nuk mund të harrohet! Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet! Nderim martirëve! Mirënjohje aleatit tonë strategjik, SHBA-së”, shkruan Begaj.
Kosova shënon 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike në historinë e vendit. Më 15 janar 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Shtimes, një akt i tmerrshëm që tronditi jo vetëm Kosovën, por edhe botën.
The post Begaj përkujton masakrën e Reçakut: Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet appeared first on Euronews Albania.
