Autoritetet greke shpallën të mërkurën alarmin e kuq për ishujt në detin Jon, për shkak të parashikimeve për zjarre masive. Vendimi u mor nga Ministria për Krizat Klimatike dhe Mbrojtjen Civile.
Në bazë të alarmit u aktivizua tërësisht Mekanizmi për Mbrojtjen Kombëtare, që angazhoi personelin dhe pajisjet e duhura për t’u përgatitur për këtë kërcënim, për t’iu përgjigjur emergjencave dhe për të menaxhuar pasojat në rast shkatërrimi.
Rreziku për rënie të zjarrit është më akut në Atika, zona të shumta tokësore dhe në gjithë ishujt e vendit.
Alarmi vjen teksa Greqia vazhdon të jetë në kulmin e sezonit turistik, me plazhet që vijojnë të jenë të mbushura me turistë vendas e të huaj.
Ndërkohë, situata është përmirësuar në zonën Elliniko të Salaminës, ku një zjarr ra të martën në një vend me mbeturina dhe vegjetacion të pakët. Sipas autoriteteve, flakët janë vënë nën kontroll dhe nuk ka rrezik që të përhapen.
Një tjetër zjarr masiv ra në zonën Agjios Vlasios, në Viotia, që u vu gjithashtu nën kontroll, edhe pse zjarrfikësit vazhdojnë luftën me disa vatra.
Gjithashtu, një tjetër rast u verifikua në një zonë pyjore në lokalitetin Stefani të Viotias, por që nuk është më aktiv. Gjatë natës, zjarrfikësit luftuan me flakët dhe tani janë fokusuar në disa vatra.
The post Greqi, alarm i kuq për zjarre në ishujt e detit Jon appeared first on Euronews Albania.
