Presidenti bullgar Rumen Radev tha sot se në vend do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi partitë kryesore refuzuan mandatin për të formuar qeverinë.
Sot, Radev i ofroi Aleancës për të Drejta dhe Liri një shans të fundit për të provuar të formojë një qeveri, por edhe kjo parti e hodhi poshtë kërkesën, e treta që e bën këtë këtë javë, raporton Reuters.
“Ne po shkojmë në zgjedhje”, tha Radev.
Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) raportoi sot se Aleanca për të Drejtat dhe Liritë ia ktheu Radevit mandatin e tretë të paplotësuar, menjëherë pasi presidenti ia dorëzoi atë.
“Grupi ynë parlamentar më autorizoi të kthej mandatin e tretë – të paplotësuar, në mënyrë që të mund të zbatojmë së bashku zgjedhje të drejta, transparente, të lira dhe demokratike”, tha kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për të Drejta dhe Liri, Hajri Sadakov.
Dy ditë më parë, grupi parlamentar reformist PP-DB hodhi poshtë kërkesën e Presidentit bullgar Rumen Radev për të provuar të formojë një qeveri të re.
Grupi më i madh parlamentar i qendrës së djathtë në Bullgari, GERB-SDS, më parë, më 12 janar, hodhi poshtë kërkesën e presidentit për të marrë përsipër mandatin për të formuar qeverinë.
Qeveria e koalicionit e mbështetur nga GERB-SDS e kryeministrit Rosen Željaskov dha dorëheqjen muajin e kaluar pas protestave kundër korrupsionit dhe buxhetit të ri.
The post Radev shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme në Bullgari appeared first on Euronews Albania.
