Eksperti Gecaj analizon raportet Kosovë–SHBA: Mungesa e konsultimit solli pakënaqësi

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

I ftuar në një lidhje live për “Balkan Talks”, eksperti i sigurisë Hysen Gecaj ka analizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u ndalur te tensionet e viteve të fundit dhe pritshmëritë për një përmirësim të tyre.

Sipas Gecajt, disa veprime të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në veri të vendit janë perceptuar nga SHBA si hapa të nxituar, çka ka sjellë pakënaqësi dhe reagime të vazhdueshme nga faktori amerikan, përfshirë zyrtarë të lartë dhe ambasadën në Prishtinë.

“Vitet e fundit ka pasur një farë ftohjeje mes SHBA-së dhe Kosovës, për shkak të disa veprimeve dhe hapave që janë ndërmarrë në veriun e Kosovës, të cilat nga ana e SHBA-së janë cilësuar si hapa të përshpejtuar. Kjo ka sjellë pakënaqësi në raport me SHBA-në, të cilat disa herë me radhë, qoftë përmes personaliteteve të rëndësishme të politikës amerikane, por edhe përmes ambasadës, i kanë tërhequr vëmendjen Qeverisë së Kosovës që të mos marrë hapa të nxituara dhe të mos shndërrohet eventualisht në një faktor destabiliteti. Botërisht dihet që shkaktari kryesor i kësaj tendosjeje është Serbia. Natyrisht, këtu dua ta saktësoj se asnjëherë nuk është thënë se Kosova nuk ka të drejtë në ato veprime që ndërmerr, pasi ato janë ligjore dhe në përputhje me Kushtetutën. Mirëpo, ato janë vlerësuar si hapa të ngutshëm dhe të trajtuar gabim, si dhe të pakonsultuar, në kuptimin që prania ndërkombëtare në Kosovë është e qartë sa i përket detyrave specifike që ka për sigurinë dhe mbrojtjen e territorit të Kosovës. Nga kjo del se Qeveria e Kosovës është dashur që, sa herë ka dashur të ndërmarrë një hap ligjor në pjesën veriore të vendit, të konsultohet me faktorin ndërkombëtar, i cili është shumë prezent në Kosovë dhe ka detyra dhe obligime specifike për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt në rajon”, tha ai.

The post Eksperti Gecaj analizon raportet Kosovë–SHBA: Mungesa e konsultimit solli pakënaqësi appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: