Shefi i NATO-s, Mark Rutte, dhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, pranuan të premten se Aleanca duhet të përforcojë sigurinë në rajonin e Arktikut, pasi presidenti Donald Trump u tërhoq nga kërcënimi për aneksimin e Grenlandës me anë të forcës.
“Ne po bashkëpunojmë për t’u siguruar që e gjithë Aleanca të jetë e sigurt dhe, përmes këtij bashkëpunimi, do të avancojmë mbrojtjen në Arktik”, shkroi Rutte në një postim në rrjetin “X”, pas një takimi me Frederiksen në Bruksel.
Nga ana e saj, shefja e qeverisë daneze tha se është dakord që NATO të rrisë praninë dhe angazhimin në Arktik. “Mbrojtja dhe siguria e këtij rajoni janë çështje që i përkasin gjithë Aleancës”, tha ajo.
Takimi erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se, bashkë me sekretarin Rutte, kishin rënë dakord mbi një kornizë bashkëpunimi për Grenlandën, e cila plotësonte kërkesat e tij.
Trump tërhoqi kërcënimet për të aneksuar ishullin autonom dhe për të vendosur tarifa ndaj aleatëve që do të pengonin ambiciet e tij për marrjen nën kontroll të territorit autonom.
Sidoqoftë, detajet e marrëveshjes mes Rutte dhe Trump nuk janë bërë publike, por zyrtarët e BE-së thonë se avancimi i sigurisë në Arktik ishte pjesë e planit.
Edhe Frederiksen tha një ditë më parë se aleatët kishin rënë dakord për nevojën e një pranie të përhershme ushtarake në Arktik, përreth Grenlandës.
Vendet anëtare të Aleancës kanë rënë dakord për organizimin e një misioni në rajon, por komandantët ushtarakë thonë se planifikimi konkret duhet ende të fillojë.
The post Rutte dhe Frederiksen: Arktiku kërkon prani më të madhe të NATO-s appeared first on Euronews Albania.
