Një gjyqtar në Mbretërinë e Bashkuar ka paralajmëruar jurinë që të tregojë kujdes në vlerësimin e provave të dhëna nga Barron Trump, djali më i vogël i ish-presidentit amerikan Donald Trump, në një proces gjyqësor që lidhet me një sulm të dyshuar ndaj një gruaje në Londër.
Barron Trump, 19 vjeç, kontaktoi policinë britanike nga Shtetet e Bashkuara në janar të vitit të kaluar, pasi pretendoi se gjatë një video-thirrjeje kishte parë një mikeshë të tij duke u dhunuar. Rasti po shqyrtohet në Gjykatën e Kurorës në Snaresbrook.
I pandehuri, Matvei Rumiantsev, 22 vjeç, shtetas rus që jetonte në Londrën lindore, akuzohet për sulm, dëmtim trupor, dy akuza për përdhunim, mbytje të qëllimshme dhe pengim të drejtësisë duke ushtruar presion mbi viktimën për të tërhequr padinë. Ai i mohon të gjitha akuzat.
Gjatë udhëzimeve ligjore, gjyqtari Bennathan KC theksoi se Barron Trump nuk ka dëshmuar nën betim dhe nuk është marrë në pyetje në gjykatë, duke shtuar se rrëfimi i tij mund të jetë i anshëm për shkak të miqësisë me ankuesen. Për këtë arsye, jurisë iu kërkua të mos mbështetet kryesisht në këtë dëshmi për të marrë një vendim fajësie.
Sipas transkriptit të publikuar nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës, Trump i tha policisë: “Po telefonoj nga SHBA-ja, sapo mora një telefonatë nga një vajzë që po rrihej.” Ai raportoi se ngjarja kishte ndodhur pak minuta më parë dhe e cilësoi situatën si urgjente.
Më vonë, në një email drejtuar policisë, Trump tha se pamja që kishte parë kishte zgjatur vetëm disa sekonda dhe se nuk dispononte prova konkrete. Policia nuk mori përgjigje për komunikimet pasuese.
Nga ana e saj, mbrojtja e Rumiantsev e cilësoi Barron Trump si një dëshmitar të pabesueshëm, duke pretenduar se ankuesja kishte përdorur miqësinë me të për të shkaktuar xhelozi në një marrëdhënie të tensionuar. Prokuroria, ndërkohë, vuri në dukje tonin e shqetësuar dhe urgjent të Trump gjatë telefonatës me policinë.
Prokurorët pretendojnë se sulmi ka ndodhur mbrëmjen e 17 janarit 2025, pas një mbrëmjeje ku çifti kishte konsumuar alkool. Viktima telefonoi më pas policinë dhe Rumiantsev u arrestua mëngjesin e 18 janarit.
Duke dëshmuar në gjykatë, i pandehuri tha se marrëdhëniet seksuale kishin qenë me pëlqim dhe se ai e kishte mbajtur ankuesen për krahësh vetëm për t’u mbrojtur, duke mohuar çdo akt dhune apo mbytjeje të qëllimshme.
Gjykimi vijon.
The post Ngjarjen e denoncoi djali i Trump nga SHBA, vijon gjyqi për dhunimin e një gruaje në Britani appeared first on Euronews Albania.
