Pas vrasjes së shqiptarit kontrolle të rrepta në burgun e Koridhalosit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Krimet e fundit brenda burgut të Koridhalosit kanë vënë në alarm autoritetet greke, duke çuar në një operacion të gjerë policor.

Pak ditë më parë, i dënuari përjetë Jani Aliaj, i akuzuar në Shqipëri dhe Greqi për krime të rënda, u vra me një mjet prerës të improvizuar prej xhami, teksa vuante dënimin. Më pas, autoritetet raportuan edhe për një tentativë vrasjeje ndaj një tjetër shtetasi shqiptar, i cili mbeti i plagosur.

Sipas medias greke “Protothema”, në orët e para të mëngjesit u zhvillua një operacion në burgjet e Koridhalosit nga Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar.

Në operacion morën pjesë efektivë të Nën-Drejtorisë së Narkotikëve, të Nën-Drejtorisë së Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, Nën-Drejtorisë së Inteligjencës dhe Veprimeve Speciale të D.A.O.E., si dhe Njësia Speciale Antiterroriste EKAM, me mbështetjen e një qeni policor.

Gjatë kontrolleve u bastisën 10 qeli, 3 ambiente të Deposë Qendrore të Burgjeve të Koridhalosit dhe u kontrolluan 31 të burgosur.

Policia greke ELAS njofton se u ngritën padi penale ndaj dy të burgosurve të kapur me telefonë celularë, ndërsa kombësitë e tyre nuk u bënë publike.

Gjatë operacionit u sekuestruan 2 pako kanabisi të përpunuar me peshë totale 2.75 gramë, 4 telefona celularë, një kartë SIM dhe karikues e kabllo karikimi.

Dokumentet e formuara do t’u dorëzohen organeve kompetente në përputhje me ligjin.

The post Pas vrasjes së shqiptarit kontrolle të rrepta në burgun e Koridhalosit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: