Dekreti për anulimin e importit të gazit rus, Hungaria padit Bashkimin Evropian

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Qeveria hungareze ngriti sot një padi në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian, duke kërkuar anulimin e rregullores RePower të BE-së, e cila synon të heqë gradualisht importin e gazit rus, tha Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, Peter Szijártó.

Szijártó pretendon se BE-ja i tejkaloi kompetencat e saj duke miratuar rregulloren, sepse vendimi u paraqit gabimisht si një masë e politikës tregtare dhe jo si një sanksion, ndërsa zbatimi i tij do të kërcënonte sigurinë e furnizimit me energji në Hungari.

Szijarto, shkruan Hungarian Index, deklaroi se Hungaria e kontestoi rregulloren e BE-së RePower para Gjykatës së BE-së pas hyrjes së saj zyrtare në fuqi, duke theksuar se për Hungarinë nuk ka alternativa më të lira dhe më të besueshme ndaj naftës dhe gazit rus, dhe se pa këto burime energjie nuk është e mundur të garantohet siguria energjetike e vendit ose të ruhen kosto të ulëta për familjet.

Ai përmendi tre arsye kryesore pse Budapesti po kërkon anulimin e rregullores, përkatësisht se RePower EU në thelb përfaqëson një politikë sanksionesh, e cila do të kërkonte një vendim unanim nga shtetet anëtare, pastaj se BE-ja nuk ka autoritetin për të marrë vendime të tilla sepse politika energjetike është përgjegjësi e shteteve anëtare, si dhe se parimi i solidaritetit energjetik në BE shkelet nëse kërcënohet furnizimi me energji i ndonjë anëtari.

Sipas Szijarto, procedurat gjyqësore mund të zgjasin nga një vit e gjysmë deri në dy vjet , dhe heqja e burimeve ruse të energjisë, siç deklaroi ai, mund të trefishojë kostot e energjisë në Hungari.

Rregullorja e BE-së për RePower u miratua nga Parlamenti Evropian në dhjetor, ndërsa Këshilli i BE-së e konfirmoi atë në janar, ku vetëm Hungaria dhe Sllovakia votuan kundër saj.

Sipas planit, ndalimi vlen ekskluzivisht për gazin rus, ndërsa heqja e importit të naftës dhe karburantit bërthamor rus do të vendoset me një rregullore të veçantë në vitin 2026.

The post Dekreti për anulimin e importit të gazit rus, Hungaria padit Bashkimin Evropian appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: